Nipi i sulltanit mbetet pa skuadër, por pasuria e tij vlerësohet mbi 18 miliardë euro
Faiq Bolkiah, nipi i Sulltanit të Bruneit dhe djali i princit Jefri Bolkiah, është aktualisht pa skuadër në moshën 28-vjeçare. Karriera e tij futbollistike nuk arriti të marrë hovin e pritshëm, por emri i tij vazhdon të tërheqë vëmendje për shkak të pasurisë së familjes.
Sipas vlerësimeve të cituara nga mediat, pasuria e Bolkiah vlerësohet në më shumë se 18 miliardë euro, duke e bërë atë një prej sportistëve më të pasur në botë.
I lindur në Los Angeles, Bolkiah u formua në akademitë e Southampton, Chelsea dhe Leicester City, por nuk arriti të debutonte me ekipet e para të këtyre klubeve. Në Europë ai luajti për Maritimo, përpara se në vitin 2021 të transferohej në Tajlandë.
Atje veshi fillimisht fanellën e Chonburit dhe më pas atë të Ratchaburit. Kontrata me këtë të fundit përfundoi në qershor dhe Bolkiah aktualisht është lojtar i lirë.
Karriera e tij u vështirësua edhe nga një dëmtim i rëndë në këmbë, i pësuar dy vite më parë, pas të cilit hapësirat e tij për të luajtur u reduktuan ndjeshëm.
Me kombëtaren e Bruneit, Bolkiah debutoi në vitin 2016 dhe madje mbajti edhe shiritin e kapitenit, por nuk ka regjistruar një numër të madh paraqitjesh.
Tashmë, në moshën 28-vjeçare, ai është në kërkim të një klubi të ri për të vazhduar karrierën futbollistike, ndërsa mbetet një prej emrave më të veçantë të botës së sportit për kombinimin e një karriere modeste në futboll me një pasuri familjare të jashtëzakonshme.

