Nis Botërori 2026, spektakël madhështor në ceremoninë e hapjes
Botërori i Futbollit 2026 ka ngritur siparin me një ceremoni spektakolare hapjeje në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City, duke shënuar fillimin e turneut më të madh në historinë e Kupës së Botës. Për herë të parë, kompeticioni zhvillohet në tre vende pritëse: Meksikë, SHBA dhe Kanada.
Mijëra tifozë krijuan një atmosferë festive në tribunat e stadiumit, ndërsa ceremonia solli një kombinim të muzikës, kulturës dhe futbollit. Yjet ndërkombëtarë të muzikës, mes tyre Shakira dhe Burna Boy, interpretuan këngën zyrtare të turneut, duke ndezur emocionet para ndeshjes inaugurale mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Në program ishte parashikuar edhe performanca e Andrea Bocelli-t.
FIFA ka konceptuar një format unik për këtë edicion, me tre ceremoni hapjeje në tre shtetet organizatore. Pas eventit në Meksikë, festimet do të vazhdojnë në Toronto të Kanadasë dhe në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara, duke reflektuar karakterin ndërkombëtar të Botërorit 2026.
Stadiumi “Azteca” hyri sërish në histori, pasi u bë impianti i parë që pret për herë të tretë një ndeshje hapëse të Kupës së Botës, pas edicioneve të viteve 1970 dhe 1986.
Me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe 104 ndeshje në program, Botërori 2026 pritet të jetë edicioni më i madh i organizuar ndonjëherë, duke sjellë një muaj emocionesh dhe spektakli për tifozët e futbollit në mbarë globin.
KOHA JONË SONDAZH

