Nisin kontaktet e Ronaldos me PSG, Juventus kërkon 30 mln euro ose Icardin!

Juventus, Manchester United apo PSG? E ardhmja e Cristiano Ronaldos për momentin është një mister që mund të zbulohet me kalimin e ditëve, teksa tri janë opsionet për momentin. Portugezi po kërkon një alternativë të re, teksa Franca duket destinacioni më i mundshëm.

Sipas gazetës “AS”, PSG ka nisur kontaktet e para me agjentin e sulmuesit, duke marrë edhe një miratim nga vetë CR7. Në rast se do të largohet Mbappe nga Parisi, me shumë mundësi do të jetë 5 herë fituesi i “Topit të Artë” që do të zërë vendin e tij.

Ekonomikisht, PSG e konsideron ardhjen e Cristianos një marrëveshje të mirë. Nike, marka që vesh ekipin kombëtar portugez, është e njëjta që sponsorizon parisienët, kështu që transferimi do të ishte i dobishëm për të tre palët. Përveç kësaj, ai do të bëhej imazhi i Kupës së Botës në Katar, vendi i pronarëve të klubit. Vetë CR7 mund të kishte edhe më shumë përftime nga reklamat.

Prej muajsh përflitet për një largim të Ronaldos nga Juventusi, edhe për shkak të situatës financiare. Afrimi i Allegrit së fundmi në krye të ekipit, duket se e ka bërë edhe më të mundur divorcin gjatë kësaj vere, pasi strategu italian ka në planet e tij më shumë Dybala-n. Juventus kërkon 30 milionë euro për ta lënë të lirë, ose kartonin e Mauro Icardit./R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP