Një malazez dhe një kosovar vendosin drejtësi në dy testet e para për Maran
Kombëtarja shqiptare po përgatitet për dy sfidat miqësore të muajit qershor, të cilat do të shënojnë edhe debutimin e trajnerit të ri, Rolando Maran, në stolin kuqezi. Shqipëria do të zbresë në fushën e stadiumit “Air Albania” për t’u përballur me Izraelin dhe Luksemburgun, ndërsa tashmë janë bërë publikë edhe arbitrat që do të ndajnë drejtësinë në këto takime.
Ndeshja e parë miqësore, ajo mes Shqipërisë dhe Izraelit, do të zhvillohet më 3 qershor në orën 20:00. Për këtë përballje është caktuar si arbitër kryesor malazezi Milos Savovic, i cili do të ndihmohet nga bashkëkombasit e tij Marko Gojkovic dhe Vladislav Radenovic në rolin e asistentëve. Arbitër i katërt i takimit do të jetë shqiptari Juxhin Xhaja.
Tre ditë më vonë, më 6 qershor në orën 20:00, kuqezinjtë do të përballen me Luksemburgun, sërish në “Air Albania”. Drejtësia në këtë sfidë do t’i besohet një trupe arbitrash nga Kosova, me Genc Nuzën në rolin e arbitrit kryesor. Asistentët e tij do të jenë Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, ndërsa arbitër i katërt është caktuar Eldorjan Hamiti.
Dy ndeshjet do të shërbejnë si testet e para për trajnerin Rolando Maran, i cili nis zyrtarisht aventurën në krye të Kombëtares shqiptare me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sfidat e ardhshme zyrtare.
KOHA JONË SONDAZH

