
Përpara supersfidës mes Barcelonës dhe Real Madridit, që do të zhvillohet të dielën në orën 21:00, qendra e kryeqytetit katalanas është bërë skenë e një vepre artistike provokuese. Artisti i njohur i rrugës, TVBoy, ka surprizuar kalimtarët me një krijim ku shfaqen dy yjet e futbollit, Lamine Yamal dhe Kylian Mbappé, duke u përqafuar ngrohtësisht dhe duke shkëmbyer një puthje.
Vepra ka tërhequr menjëherë vëmendjen e banorëve dhe turistëve, ndërsa është bërë virale edhe në rrjetet sociale. Përmes këtij krijimi, artisti përcjell një mesazh paqeje, vëllazërie sportive dhe respekti të ndërsjellë, duke treguar se rivaliteti i fortë mes dy klubeve nuk duhet të pengojë vlerat njerëzore.
Instalacioni i ri rikthen në vëmendje një tjetër vepër të famshme të TVBoy-t, të realizuar në vitin 2017 në bulevardin Passeig de Gràcia të Barcelonës. Në atë murale shfaqeshin Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, dy ikonat që për vite me radhë mishëruan rivalitetin mes Barcelonës dhe Real Madridit.
Tashmë, me Yamal dhe Mbappé që përfaqësojnë dy nga figurat më të rëndësishme të futbollit modern, vepra e re shihet si një simbol i kalimit drejt një epoke të re të El Clásico-s.
