Një rrugë në Turqi do të emërtohet “Mohamed Salah”
Transferimi i Mohamed Salah te Trabzonspor pritet të lërë gjurmë jo vetëm në futboll, por edhe në qytetin turk. Bashkia e Yomras në Trabzon po përgatit një propozim për t’i ndryshuar emrin një prej rrugëve të zonës ku pritet të banojë ylli egjiptian.
Bëhet fjalë për “Selfie Street”, rruga ku ndodhet banesa e ardhshme e Salahut. Sipas raportimeve të mediave turke, bashkia synon që kjo rrugë të marrë emrin “Mohamed Salah Street”, në nder të sulmuesit të njohur.
Salah pritet të vendoset në zonën Kashüstü, në distriktin Yomra, ndërsa përgatitjet për banesën e tij kanë nisur përpara transferimit dhe zhvendosjes në Trabzon.
Kryebashkiaku i Yomras, Mustafa Bıyık, e ka cilësuar ardhjen e një futbollisti me përmasat ndërkombëtare të Salahut si një arsye krenarie për komunitetin.
Sipas tij, prania e egjiptianit mund të ndikojë pozitivisht edhe në promovimin e zonës, duke i dhënë asaj një vlerë më të madhe turistike dhe marketingu.
Për këtë arsye, bashkia dëshiron që ardhja e Salahut të mbetet pjesë e historisë së Yomras. Propozimi për ndryshimin e emrit të rrugës pritet të paraqitet këtë javë përpara këshillit bashkiak, i cili do të marrë vendimin përfundimtar.
Nëse miratohet, “Selfie Street” do të shndërrohet në “Mohamed Salah Street”, duke i dhënë një tjetër dimension transferimit të yllit egjiptian në futbollin turk.
KOHA JONË SONDAZH

