Nora Gjakova pas medaljes së artë: Nuk e di, më duket e pabesueshme
Nora Gjakova u bë pjesë e historisë së Kosovës, teksa sot mori medalje ari në xhudo në Olimpiadën e Tokion, në peshën deri në 57 kilogramë. Ajo mundi me ippon kundërshtaren nga Franca në finale. Pas triumfit ajo foli për mediat kosovare duke treguar emocionet që përjetoi.
“Nuk e di, ende më duket e pabesueshme. As kualifikimin në finale nuk e besova, veç kur pashë trajnerin (Driton Kuka) që festonte e besova. Është e pabesueshme! Ndjenjë e papërshkueshme! Erdha të fitoj, por nuk i dihej dhe nuk e besoja që do fitoja medalje olimpike. Shpresoj që ky të mos jetë fundi i karrierës sime, do mundohem të bëj sërish përpara.
Falënderoj gjithë ekipin, faleminderit Tonit (trajneri), që është ai që ka bërë gjithçka për sukseset tona. Falënderoj Majlindën që na hapi rrugën, sepse ndryshe nuk do i ëndërronim dhe arrinim këto suksese të mëdha. Në Rio 2016 isha me normë, por dëmtimi nuk më lejoi të jap maksimumin.
Ka qenë një ditë me shumë emocione, jo vetëm për mua, por edhe për vëllanë, Akilin. Kjo që kemi arritur sot është e jashtëzakonshme. Doja që edhe Akili të ishte medalist, për sërish po e çojmë një medalje në shtëpi. E kam ëndërruar këtë fitore. Falënderoj trajnerin, që ka punuar 20 vite me ne dhe ka dhënë kontributin kryesor për të marrë këtë triumf të madh”, tha Nora Gjakova.