“Nuk do ta paguaja”, Trump kritikon FIFA-n për çmimet e biletave në Kupën e Botës 2026
Donald Trump ka kritikuar çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës 2026, duke deklaruar se as vetë nuk do të paguante 1000 dollarë për të ndjekur ndeshjen hapëse Amerikës ndaj Paraguait.
Turneu do të nisë më 11 qershor 2026, ndërsa SHBA, që është bashkë-organizatore së bashku me Kanadanë dhe Meksikën, do të luajë ndeshjen e parë më 12 qershor në Los Angeles.
Në një prononcim për “New York Post”, Trump reagoi pasi u pyet për çmimin që mund të arrijë deri në 1000 dollarë për biletat e sfidës së parë të Grupit D.
“Nuk e dija atë shifër. Sigurisht që do të doja të isha atje, por sinqerisht, as unë nuk do ta paguaja atë shumë”, deklaroi Trump.
FIFA është përballur me kritika të shumta për strategjinë e saj të çmimeve për Kupën e Botës 2026. Ndryshe nga edicionet e mëparshme, këtë herë çmimet e ndeshjeve të fazës së grupeve janë përcaktuar sipas popullaritetit të skuadrave dhe interesit të pritshëm, jo me tarifa fikse.
Gjithashtu, tifozët janë ankuar edhe për çmimet shumë të larta në platformën zyrtare të rishitjes së biletave, ku FIFA përfiton 30% komision nga çdo transaksion, 15% nga blerësi dhe 15% nga shitësi.
Trump shtoi se do të ishte i zhgënjyer nëse tifozët e zakonshëm amerikanë nuk do të kishin mundësi të ndiqnin ndeshjet nga stadiumi.
“Nëse njerëzit nga Queens, Brooklyn dhe të gjithë ata që më mbështesin nuk mund të shkojnë në stadium, do të isha i zhgënjyer. Do të doja që njerëzit që votuan për mua të kishin mundësinë të ishin aty”, përfundoi presidenti amerikan.
KOHA JONË SONDAZH

