Nuk humbisnin nga muaji dhjetor, Hoffenheim turpëron me “poker” kampionët e Europës (VIDEO)

Bayern Munich i jep fund ecurisë rekord të sukseseve radhazi në Bundesligë dhe Europë. Skuadra e Flick, e lodhur edhe nga impenjimi në finalen e Superkupës së Europës, pësoi një humbje befasuese 1-4 në transfertën ndaj Hoffenheim.

Fillimi ishte fantastik për vendasit, teksa në minutën e 16-të, Bicakcic është në vendin dhe në kohën e duhur për të devijuar topin në rrjetë pas një goditje nga këndi. Hoffenheim nuk u ndal këtu, pasi një gabim i mbrojtjes në minutën e 24-t, i jep mundësinë Dabbur që të realizonte një gol të bukur me parabël.

Bayerni rihapi sfidën në minutën e 36-të me Kimmich, por nuk do të arrinin që të konkretizonin rastet në fraksionin e dytë. Në minutën e 77-të, Kramaric me një veprim shumë të bukur brenda zonës arrin që të mposhtë Neuer, duke shuar shpresat e bavarezëve.

Bomberi kroat nuk u ndal me kaq, pasi në minutat shtesë do të shënonte edhe një tjetër gol me penallti. Kjo ishte humbja e parë e Bayernit që nga muaji dhjetor, pas një ecurie rekord në kampionat dhe Champions League. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP