Nuk ka marrëveshje, Vlahovic do të largohet nga Juventusi
Aventura e Dusan Vlahovic te Juventus duket se ka mbërritur në fund. Sipas raportimeve nga Italia, takimi i zhvilluar mes sulmuesit serb dhe drejtuesve bardhezi në Continassa nuk ka sjellë marrëveshjen e shumëpritur për rinovimin e kontratës.
Palët nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për kushtet financiare, duke vulosur praktikisht largimin e Vlahovicit nga Juventusi në fund të kontratës së tij, e cila skadon më 30 qershor 2026.
Gjatë bisedimeve të fundit, sulmuesi serb ka mbetur i palëkundur në kërkesat e tij ekonomike. Vlahovic ka kërkuar një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon, ndërsa gjithashtu ka insistuar për bonuse të konsiderueshme që do ta çonin përfitimin e tij vjetor në mbi 10 milionë euro.
Nga ana tjetër, Juventusi e ka konsideruar të papërballueshme këtë kërkesë financiare dhe ka refuzuar të përmbushë kushtet e lojtarit. Situata ekonomike e klubit, e ndikuar edhe nga mungesa e kualifikimit në Ligën e Kampionëve, ka bërë që drejtuesit të mos devijojnë nga kufijtë e buxhetit të vendosur për pagat.
Me negociatat që kanë përfunduar pa sukses, largimi i Vlahovicit tani shihet si skenari më i mundshëm. Sulmuesi serb pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar në merkaton europiane, me disa klube të rëndësishme që prej kohësh po ndjekin situatën e tij.
KOHA JONË SONDAZH

