“Nuk ka rrezik që Botërori 2026 të anulohet nga konfliktet në Lindjen e Mesme”
Kupa e Botës 2026 pritet të zhvillohet normalisht, pavarësisht tensioneve dhe konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Kjo është bërë e ditur nga Hermo Schirgi, drejtori operativ i turneut që do të zhvillohet në muajt qershor dhe korrik të vitit 2026 në Amerikë, Meksikë dhe Kanada.
Gjatë një konference të mbajtur në Dallas, Schirgi theksoi se përgatitjet për organizimin e turneut janë drejt fazës përfundimtare dhe se aktualisht nuk ekzistojnë rreziqe serioze që mund të çojnë në shtyrjen apo anulimin e kompeticionit më të madh të futbollit në botë.
“Botërori është një ngjarje shumë e madhe dhe padyshim do të zhvillohet. Situata globale po ndryshon çdo ditë dhe ne po e monitorojmë me shumë vëmendje, duke punuar ngushtë me partnerët tanë për të gjetur zgjidhjet më të mira. Shpresojmë që të gjitha kombëtaret që janë kualifikuar të kenë mundësi të marrin pjesë”, deklaroi ai.
Megjithatë, një nga çështjet që mbetet e paqartë lidhet me pjesëmarrjen e Iranit. Autoritetet iraniane kanë lënë të kuptohet se mund të refuzojnë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara për turneun.
Pavarësisht kësaj situate, Schirgi u shpreh optimist për rëndësinë që ka Botërori si një ngjarje që bashkon vende dhe kultura të ndryshme. Ai kujtoi se turne të ngjashëm kanë treguar më parë fuqinë e sportit për të afruar popujt, duke përmendur edicionet e zhvilluara në Kupën e Botës 2018 në Rusi dhe Botërori 2022 në Katar.
“Sipas gjendjes së botës sot, ky turne do të jetë një mundësi e madhe për të bashkuar njerëzit nga e gjithë bota”, përfundoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

