“Nuk ndihem mirë”, tenisti Sinner ndërpret papritur sfidën në Roland Garros
Momente shqetësuese janë regjistruar në ndeshjen e raundit të dytë të turneut Roland Garros, ku numri një i botës, Jannik Sinner, ka shfaqur probleme të papritura fizike gjatë përballjes ndaj argjentinasit Juan Manuel Cerúndolo.
Tenisti italian po dominonte bindshëm takimin, duke kryesuar 6-3, 6-2, 5-1, kur papritur pësoi një gjendje jo të mirë shëndetësore që ndikoi ndjeshëm në ritmin e tij të lojës. Cerúndolo përfitoi nga situata dhe arriti të rikthehej në set, duke ngushtuar rezultatin deri në 5-4 dhe duke krijuar avantazh 0-40 në shërbimin e Sinner.
Në kulmin e vështirësive, Sinner kërkoi ndërhyrjen e arbitrit të karriges dhe ndalimin e lojës, duke sinjalizuar se nuk ndihej mirë fizikisht.
“Nuk ndihem mirë, kam nevojë të vjell”, raportohet të ketë thënë italiani gjatë konsultës së shkurtër me stafin mjekësor.
Pas ndërhyrjes së fizioterapistit dhe një kontrolli fillestar në fushë, Sinner u largua drejt dhomave të zhveshjes për ekzaminime të mëtejshme. Sipas komunikimit të arbitres me lojtarin argjentinas gjatë pauzës, stafi mjekësor po vlerësonte gjendjen e tenistit italian, përfshirë kontrollin e tensionit të gjakut.
Pas disa minutash, numri një i botës u rikthye në fushë, por me vështirësi të dukshme fizike. Gjendja e tij ndikoi menjëherë në lojë, teksa humbi shërbimin dhe Cerúndolo më pas do të fitonte setin 7-5.
KOHA JONË SONDAZH

