Olimpiada Dimërore: Milano në alarm maksimal sigurie, 6 mijë agjentë për ceremoni dhe protesta
Alarmi i sigurisë është aktivizuar prej kohësh në Milano, në përgatitje të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore. Ngjarjet e fundit në Torino kanë rritur më tej nivelin e gatishmërisë, veçanërisht për të premten, më 6 janar, ditën e ceremonisë solemne të hapjes, dhe për të shtunën, më 7 janar, kur në orën 15:00 do të nisë një marshim proteste nga Piazza Medaglie d’Oro, duke kaluar pranë fshatit olimpik.
Manifestimi, i organizuar nga grupe të ndryshme antagoniste, pritet të bashkojë lëvizje të natyrave të ndryshme. Këtu përfshihen grupet pro-palestineze, të cilat çdo fundjavë marshojnë në rrugët e Milanos, si dhe grupe të ndryshme kundër zhvillimit të Olimpiadës. Ekziston gjithashtu frika se mund të bashkohen militantë nga Torino të grupit Askatasuna, pas përleshjeve të 31 janarit që shkaktuan plagosjen e disa agjentëve të policisë dhe protestuesve.
Dislokimi i forcave të rendit do të jetë i madh, me rreth 6,000 agjentë të shpërndarë mes ushtrisë, karabinierëve dhe policisë lokale, të mbështetur nga 170 mjete dhe kontroll i vazhdueshëm nga ajri me helikopterë e dronë. Këto forca do të mbrojnë zonat e kuqe rreth objekteve olimpike, nga fshati olimpik në Porta Romana, stadiumi Meazza, Santa Giulia dhe Fiera di Rho, deri në Piazza Duomo dhe rrugët e qendrës ku do të kalojë flaka olimpike. Udhëtimi i flakës do të kulmojë rreth orës 23:00 të së premtes me ndezjen e pishtarit në Harkun e Paqes.
Dy orë para ceremonisë së hapjes, e cila fillon në orën 20:00, aktivistët e “Komitetit të Olimpiadave të Paqëndrueshme” kanë njoftuar një marshim me pishtarë kundër lojërave, që do të nisë në orën 18:00 nga viale Mar Jonio. Kjo zonë do të jetë e blinduar nga forcat e rendit për ardhjen e delegacioneve. Në stadiumin Meazza pritet të jenë të pranishëm rreth 50 krerë shtetesh, mes 65,000 spektatorëve që do të marrin pjesë në këtë ngjarje madhore.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

