Padel – FIP Platinum Albania, Stupaczuk-Yanguas dhe Guinart-Virseda shpallen kampionë në Tiranë

Një javë historike për padelin shqiptar u mbyll mbrëmjen e së shtunës në sheshin “Skënderbej”, ku FIP Platinum Albania kurorëzoi fituesit e edicionit të këtij viti përpara mijëra tifozëve që mbushën tribunat gjatë gjithë aktivitetit.

Në kategorinë e meshkujve, dyshja spanjollo-argjentinase Franco Stupaczuk dhe Mike Yanguas fituan titullin pas suksesit 6-4, 4-6, 7-5 ndaj surprizës së turneut, David Gala dhe Enzo Jensen. Dy talentët e rinj, të lindur në vitin 2006, zhvilluan një turne të jashtëzakonshëm duke eliminuar disa nga çiftet më të forta të kompeticionit, por në finale u ndalën nga favoritët kryesorë.

Me këtë triumf, Stupaczuk dhe Yanguas siguruan titullin e tyre të parë të sezonit dhe 300 pikë të vlefshme në renditjen ndërkombëtare FIP.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Faleminderit Shqipërisë për mikpritjen. Objektivi ynë ishte të fitonim turneun dhe ia dolëm. Tani synojmë të shkojmë me besim të madh në Romë”, deklaroi Stupaczuk pas finales.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ana tjetër, Yanguas vlerësoi organizimin dhe atmosferën e krijuar në kryeqytetin shqiptar, duke theksuar se padeli do të vazhdojë të njohë rritje të mëtejshme në Shqipëri.

Në kategorinë e femrave, titulli shkoi për Marina Guinart dhe Veronica Virseda, të cilat mposhtën 7-5, 6-1 Ale Salazar dhe Ale Alonso. Pas një seti të parë të balancuar, Guinart dhe Virseda dominuan plotësisht në të dytin për të siguruar trofeun e parë të vitit 2026.

“Ka qenë një javë fantastike. Të shihje çdo ditë kaq shumë njerëz me buzëqeshje në fytyrë ishte e pabesueshme”, u shpreh Virseda, ndërsa Guinart theksoi se fryma e luftës dhe besimit të vazhdueshëm ishte çelësi i suksesit të tyre.

Finalet u ndoqën edhe nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa ceremoninë e ndarjes së çmimeve e nderuan ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zëvendësministri Endrit Hoxha dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Padelit, Erjon Keri.

Sipas organizatorëve, afro 20 mijë spektatorë ndoqën ndeshjet gjatë javës në Sheshin Skënderbej dhe në fushat e tjera pritëse, duke e kthyer FIP Platinum Albania në një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të zhvilluara ndonjëherë në vend.

Pas ndalesës në Tiranë, elita botërore e padelit do të zhvendoset në Romë për BNL Italy Major Premier Padel, duke vijuar kalendarin e garave në arenën ndërkombëtare.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?