Pagat e pashlyera, pas Flamurtarit edhe Vllaznia bojkoton stërvitjen
Rezultatet në javët e fundit kanë qenë pozitive për Vllazninë, pas fitores së parë ndaj Tërbunit dhe barazimit të fundit me Tiranën. Por problematikat megjithatë vazhdojnë të jenë prezente. Futbollistët e skuadrës shkodrane kanë bojkotuar seancën stërvitore këtë të Hënë në shenjë proteste ndaj Bashkisë, për pagat e prapambetura të tyre, të cilat nuk shlyen prej 3 muajsh. Ky vendim I futbollistëve shikohet si një formë paralajmërimi ndaj Bashkisë, në pritje që problemi i tyre të gjejë një zgjidhje.
Lojtarët megjithatë të martën pritet të rikthehen në stërvitje për ndeshjen e fundjavës me Bylisin në kampionat dhe mungesa e tyre në seancën stërvitore të kësaj të hëne shikohet si një lloj proteste për të sensibilizuar dhe opinionin e gjerë lidhur me problematikën e tyre. Çështja e pagave të munguara të lojtarëve megjithatë nuk është i vetmi problem për klubin e Vllaznisë, pasi dhe punimet në stadiumin “Loro Borici” kanë mbetur pezull për shkak se Këshilli Bashkiak i qytetit nuk ka arritur ende një marrëveshje me FSHF-në për ndërtimin e impiantit.
Edhe Flamurtari ka pasur një problem të ngjashëm gjatë javës së kaluar. Pas ndeshjes së fundjavës, lojtrarët e Flamurtarit kanë marrë premtimin se do të likuidohen gjatë mesjavës dhe në të kundërt ata kanë paralajmëruar të njëjtën gjë, pra të bojkotojnë stërvitjen.
KOHA JONË SONDAZH

