Pandemia e Covid-19 ul vlerat e lojtarëve të Superiores, por komandon sërish Partizani
Pandemia e “Covid-19” ka patur një ndikim të madh edhe në botën e futbollit. Pezullimi për më shumë se një muaji i çdo aktiviteti sportiv ka bërë që humbjet për skuadrat të jenë të konsiderueshme. Faqja e njohur “Transfermarkt” që analizon vlerat e futbollistëve dhe të skuadrave ka përditësuar edhe të dhënat për Kategorinë Superiore. Partizani mbetet ekipi me vlerën më të lartë, 5.75 milionë euro, e ndjekur nga Kukësi me 4.63 milionë euro dhe nga Tirana me një vlerë të përafërt 4.43 milionë euro. Flamurtari dhe Luftëtari mbajnë dy vendet e fundit në këtë renditje, ashtu si në kampionat, por me dallimin se në këtë rast është skuadra gjirokastrite e fundit me një vlerë prej 1.33 milionë euro.
Thuajse të gjithë futbollistët kanë pasur rënie të vlerës së tyre. Vlera e Kallakut tashmë është 500 mijë euro, nga 550 mijë që kushtonte një muaj më parë. Rënie më të madhe në merkato kanë dy futbollistët e Kukësit, Abazaj dhe Shkurtaj, të cilët tashmë kushtojnë vetëm 450 mijë euro sipas sajtit të njohur ndërkombëtar. Kurba rënëse vijon edhe te Partizani, me Trashin që arrin vlerën e 450 mijë eurove, 100 mijë më pak se para situatës së pandemisë. Mala dhe Bardhi kanë pasur një rënie të konsiderueshme ashtu si disa futbollistë të tjerë që kanë qenë protagonist këtë sezon në Superiore.
Te Tirana futbollisti më i kushtueshëm në merkato mbetet Edon Hasanin, me një vlerë që shkon në 325 mijë euro, ndërkohë që këtë renditje është edhe Idriz Batha (300 mijë euro). Vlera totale e gjithë Kategorisë Superiore shkon në 36.73 milionë euro. Koronavirusi do të ketë një ndikim aspak të vogël në tratativat që do të ketë skuadrat e Superiores me ekipe të huaja për shitjen e yjeve të tyre. Tashmë ata do të vlejnë disa mijëra euro më pak, që për arkat e boshatisura të skuadrave tona, peshojnë shumë. /Rozalb Lika-Koha Jone/