“Panucci më zhgënjeu, Hysaj është kapiten. Kumbulla? Ka të ardhme të madhe
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta Dello Sport”, aty ku ka prekur shumë tema. Më shumë, Duka u ndalua te trajnerët italianë, si dhe te futbollistët shqiptarë që luajnë në Serie A.
TRAJNERËT – “Pas kualifikimit historik në Euro 2016, synojmë të shkojmë në Euro 2024 me Edi Rejën, trajner i kombëtares sonë dhe të moshave U-17, U-19, U-21. U besojmë shpesh trajnerëve italianë sepse janë mjeshtra të taktikës dhe të disiplinës. Talentet tona më të mëdha luajnë në Serinë A dhe kjo i ndihmon që të rriten”.
KUMBULLA – “Kumbulla është profili i lojtarit shqiptar me më shumë të ardhme. Është 20 vjeç, po bën gjëra të mira te Verona, është rritur tek moshat e këtij klubi dhe është thirrur nga trajneri Reja, madje ka debutuar duke luajtur disa minuta. Është i destinuar për të qenë një lojtar i madh. Është i fortë taktikisht, fizikisht dhe ka karakter të mirë. Te Verona është edhe Rrahmani, ka luajtur me Shqipërinë, por më pas vendosi të zgjedhë Kosovën”.
KAPITENI – “Hysaj është kapiteni ynë, është lojtari me më shumë eksperiencë dhe shpresojmë që të sërish hapësira tek Napoli. Me Ançelotin luajti shumë pak. Gjimshiti është një lojtar i mirë, luan në Champions dhe kjo nuk është pak për ne. Strakosha dhe Berisha janë të fortë dhe vënë në vështirësi zgjedhjeje trajnerin Reja. Por në Serinë B është edhe Veseli me Empolin”.
ITALIANËT – “Trajnerët italianë kanë sukses kudo, këtë e thotë historia. E nisa duke i dhënë besim Dossenës, por qëndroi pak. I dyti ishte De Biassi, na çoi në Europian për herë të parë dhe iu dha edhe nënshtetësia shqiptare. Tek ne konsiderohet hero. Pas tij erdhi Panuçi, i vetmi që më zhgënjeu pak. Nuk arriti të krijonte një klimë të mirë. Vendosa ta marr trajner për shkak të karakterit të fortë që tregonte në fushë, pasi e admiroja kur e shihja në televizor. Ishte pa eksperiencë si trajner, por kjo nuk më kushtëzoi që t’i ofroja postin në kombëtare. Kur erdhi më tha: ‘president, nëse një ditë do të më shkarkoni, atëherë nuk do t’ju kërkoj asgjë’. Nuk ndodhi kështu. Madje, tani na ka sjellë edhe një kërkesë që duhet t’i paguajmë shpërblimet e pas-shkarkimit. Këtë kërkesë po e studiojnë avokatët, por nuk është çështje lekësh, mua kjo më ka hidhëruar”.
REJA – “Është një trajner ekspert dhe së bashku me të dhe stafin e tij do të përpiqemi të çojmë përpara një projekt afatgjatë. Kualifikimi në Botëror është i vështirë, por synojmë me të gjitha forcat që të kualifikohemi në Euro 2024. Është ëndrra ime”.
AIR ALBANIA – “Stadiumi i ri është gjëja më e bukur në Shqipëri sot dhe është tejet i rëndësishëm për ne. Në stadiumet e qyteteve që u goditën nga tërmeti tani janë vendosur çadra për të dëmtuarit. Të gjithë lojtarët e Kombëtares dhuruan para të konsiderueshme për të dëmtuarit, ndërkohë që ka kontribuuar edhe vetë federata italiane me në krye presidentin Gravina. Reja gjithashtu dha një kontribut, por edhe klubi i Lacios. Me paratë e mbledhura do të mund të ndërtojmë shtëpi të reja. Më 10 janar do të luhet edhe një ndeshje mes legjendave të futbollit italian, grek, turk dhe shqiptar. Të ardhurat do të shkojnë për bamirësi”, përfundoi Armando Duka.
/abcnews.al