Paralajmërimi, delegati i UEFA-s: Masa të ashpra ndaj Kukësit!
Ndeshja e ndërprerë në stadiumin “Qemal Stafa” mes Kukësit dhe Leagias së Varshavës mund të peshojë shumë për skuadrën nën-kampione të Shqipërisë. Vendimi do të merret më 3 gusht nga UEFA.
Delegati polak i UEFA-s, Kazimierz Oleszek bën një analizë të asaj që ndodhi në Tiranë dhe jep variantet e tij për masat disiplinore që mund të merren ndaj Kukësit.
-“Fillimisht mendoj se Kukësi do të gjobitet me një shumë të madhe, nuk do të luajë në fushën e tij për disa takime, tifozët e kësaj skuadre mund të mos udhëtojnë në transfertat e radhës por mund të përjashtohet edhe nga Kupat Europiane. Gjithsesi, opsioni i fundit më duket më pak i mundshmi”, nënvizon Oleszek, duke shtuar se edhe Legia rrezikon pasi ishin tifozët e skuadrës polake që nxitën dhunën në pushimin mes dy pjesëve.
Në vijim, delegati i UEFA-s shton se situata ishte e tensionuar që në minutat e para kur tifozët e Kukësit publikuan një banderolë ofenduese, por me përshkallëzimin e dhunës, situata u bë e pakontrollueshme.
Në vijim të intervistës, Oleszek qartëson se vendimin për ndërprerjen e ndeshjes e ka marrë delegati i UEFA-s pas konsultimit me gjyqtarin kryesor.
“Në këtë situatë merren në konsideratë edhe opinionet e trajnerëve e kapitenëve të të dyja skuadrave. Në rast se ka dyshime që mbarëvajtja e ndeshjes nuk mund të garantohet, atëherë delegati vendos ndërprerjen”, shton zyrtari polak i UEFA-s.
Sipas Oleszek, numri i forcave të sigurisë në stadium nuk ishte i mjaftueshëm dhe në këtë aspekt, gjithë përgjegjësia bie mbi skuadrën pritëse.
Edhe agjencia e lajmeve italiane ANSA, njoftoi se UEFA ka hapur një hetim pas episodit të shëmtuar të enjten në mbrëmje në Tiranë , ku u godit Ondrej Duda, mbrojtësi i Legia Varshavës. Ai u qëllua në kokë nga një gur i hedhur nga një tifoz i Kukësit, gjatë ndeshjes. Episodi ndodhi në 52’ kur polakët sapo shënuan golin e dytë, 1-2. Duda doli në një barrelë dhe arbitri pezulloi ndeshjen. Në këtë pikë, humbja 0-3, në tavolinë për Kukësin konsiderohet e paevitueshme, sikurse edhe gjoba për organizimin e dobët. Por nëse skuadra jonë do të lejohet të luajë ndeshjen e kthimit, apo do të pezullohet pritet të mësohet.
KOHA JONË SONDAZH

