Parashikimet për Champions League/ Ja shanset e skuadrave italiane për kualifikim!
Pas katër ndeshjeve nga tetë të planifikuara, “faza e kampionatit” e Champions League ka arritur në pikën e saj kulminante dhe për skuadrat italiane situata është ende e hapur.
Falë fitores 4-0 ndaj Kairat-it, Inter ka arritur kuotën e 12 pikëve në 4 ndeshje, duke ndarë kreun me Bayern Munich dhe Arsenal. Megjithatë, zikaltrit qëndrojnë në vendin e tretë, për shkak të diferencës më të ulët të golave të shënuar.
Skuadra e Simone Inzaghit do të ketë tani një seri sfidash të vështira kundër Atletico Madrid, Liverpool, Arsenal dhe Dortmund, por sipas analizave të Football Meets Data, Inter ka 76% shanse për t’u kualifikuar direkt në fazën e 1/8-ve, duke qenë një nga favoritët kryesorë.
Në krye të listës, kompjuterët japin si pothuajse të sigurta Arsenal (99%), Bayern Munich (96%) dhe Manchester City (85%). Pas tyre vijnë Liverpool, PSG, Real Madrid dhe Barcelona, megjithatë për katalanasit parashikimet janë më të pasigurta, vetëm 49% shanse për kualifikim direkt.
Atalanta, Napoli dhe Juventus, garë për zonën “play-off”
Në zonën që garanton hyrjen në play-off-et e Champions League (nga vendi i 9-të deri në të 24-in), lufta është shumë e fortë.
Sipas parashikimeve:
Atalanta parashikohet të përfundojë në vendin e 15-të, pothuajse e sigurt për play-off me 94% shanse, falë suksesit të fundit në fushën e Marseille.
Napoli i Antonio Conte ndodhet aktualisht në vendin e 24-të me 4 pikë, por projektohet të ngjitet në vendin e 17-të, me 81% gjasa për të hyrë në fazën tjetër.
Juventus, pas një nisjeje të dobët (vetëm 3 pikë), shihet si pretendente për t’u rikthyer në garë: parashikimet e vendosin në vendin e 20-të me 75% mundësi për kualifikim.
Në këtë grup rivalësh përfshihen edhe skuadra si Newcastle, Chelsea, Tottenham dhe Dortmund, që luftojnë fort për një vend në “Top 8”.
Kalendari i ardhshëm: kush ka avantazhin?
Inter përballet me një kalendar të vështirë me katër sfida ndaj rivalëve të nivelit të lartë.
Atalanta, në të kundërt, ka ndeshje më të përballueshme kundër Eintracht Frankfurt, Chelsea, Athletic Bilbao dhe Union Saint-Gilloise.
Napoli pritet të sfidojë Qarabag, Benfica, Copenaghen dhe Chelsea, një seri përballjesh të vështira, por jo të pamundura.
Juventus, ndërkohë, ka ndoshta kalendarin më të favorshëm: Bodo/Glimt, Pafos, Benfica dhe Monaco, katër ndeshje që mund të rikthejnë shpresat e bardhezinjve.
KOHA JONË SONDAZH

