Parisi në masa të rrepta sigurie para Francë-Marok, ka frikë për trazira pas ndeshjes

Autoritetet franceze kanë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie në Paris përpara përballjes mes Francës dhe Marokut në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, një ndeshje që konsiderohet me rrezik të lartë për rendin publik.
Sipas televizionit francez BFM TV, një qarkore e shërbimeve të inteligjencës paralajmëron për mundësinë e incidenteve para dhe pas takimit, duke e cilësuar sfidën si me “rrezik të shtuar” për shkak të natyrës eliminatore dhe rëndësisë së saj, pasi fituesi siguron një vend në gjysmëfinale.
Shërbimet franceze të sigurisë vlerësojnë se, pavarësisht rezultatit, priten grumbullime të mëdha në sheshe dhe rrugë, ku mund të përdoren mjete piroteknike dhe fishekzjarrë.
Në një tjetër raport të policisë thuhet se autoritetet po përgatiten edhe për manifestime gëzimi apo zhgënjimi, ndërsa ekziston shqetësimi për praninë e grupeve huliganësh të lidhur me ekstremin e djathtë, të cilët mund të përfshihen në përplasje.
Sipas policisë franceze, rreziku konsiderohet edhe më i lartë në rast të një fitoreje të Marokut, për shkak të rëndësisë simbolike që do të kishte një kualifikim i tillë dhe traditës së tifozëve marokenë për ta festuar suksesin në mënyrë masive dhe të zhurmshme.
Për këtë arsye, do të shtohet siguria pranë objekteve të kultit, të cilat shpesh janë shënjestër gjatë trazirave, si edhe në zonat ku po zhvillohen përgatitjet për paradën e Festës Kombëtare të 14 Korrikut.
Në kryeqytetin francez do të mbyllet e gjithë zona e Place de l’Étoile rreth Harkut të Triumfit, ndërsa në terren do të angazhohen jo më pak se 5 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie për të garantuar rendin dhe sigurinë.
KOHA JONË SONDAZH

