Partizani beson te kualifikimi në Hungari
Partizani luan në Budapest shanset për të vazhduar aventurën europiane. Pas barazimit 1-1 të ndeshjes së parë, dueli ndërmjet të kuqve dhe Ferencvaros pritet të jetë mjaft emocionues. Rezultati favorizon lehtësisht hungarezët, të cilëve do t’iu mjaftonte edhe barazimi pa gola për t’u kualifikuar. Megjithatë, Partizani është një skuadër që nuk mund të nënvlerësohet.
Të kuqtë nuk e njohin humbjen në aventurën europiane në këtë sezon, sepse kanë barazuar edhe në ndeshjen e mëparshme të luajtur në Europa League ndaj Sllovan Bratislavës. Pas përfshirjes në Champions dhe paraqitjes në Elbasan Arena, të besuarit e Adolfo Sormanit kanë fituar besim.
Nënkampionët e Shqipërisë synojnë surprizën dhe i kanë të gjitha kartat në rregull. Duke nisur nga fakti që janë një skuadër e fort në mbrojtje. Garancia e golave të paktë të pësuar, e shoqëruar me shfrytëzimin e shanseve të paraqitura, bëjnë që kalimi i turit të mos duket një utopi. Kjo edhe për faktin se megjithë historinë e madhe, Ferencvarosi nuk është një skuadër e frikshme.
Me titullin kampion të Hungarisë të fituar pas 12 sezoneve dhe të rikthyer në Champions prej edicionit 2004-2005 kur kaluan Tiranën, ecuria e tyre e fundit në sfidat ndërkombëtare nuk është entuziazmuese. Në tre sezonet e fundit kur ka luajtur në Europa League, Ferencvaros është eliminuar gjithmonë në turin e dytë, me kundërshtarë dukshëm më inferiorë.
Partizani beson te mrekullua, edhe pse për t’ia dalë duhet të thyejë një tabu, fushën në Gruopama Arena, aty ku skuadra e drejtuar nga Thomas Doll është e pamposhtur prej 10 Shkurtit të kaluar, ku ka regjistruar nëntë rezultate pozitive
KOHA JONË SONDAZH

