Partizani “dorëzohet”, drejt titullit Kukësi e Tirana, i ndjek Skënderbeu, Vllaznia e Teuta “në kaos”
Kukësi dhe Tirana fitojnë ndeshjet e javës së 22-të dhe marshojnë drejt titullit kampion. Tirana drejt titullit të 25-të në histori, si asnjë ekip tjetër, ndërsa Kukësi e synon për herë të parë këtë trofe. Partizani humbi përballë Kukësit, 3-0, si dhe shkëputet 6 pikë nga dy ekipet kryesuese, duke zbehur kësisoj shanset për të fituar titullin kampion. Skënderbeu, skuadra tjetër pretendente, duhet të fitojë në Fier përballë Apolonisë, për të shkurtuar diferencën në tre pikë me kryesuesit dhe për të pretenduar titullin e pestë radhazi kampion. Teuta merr leksione nga Laçi në Durrës, ndërsa në orën 17:00 do të luhen edhe dy sfidat e fundit, Apolonia – Skënderbeu dhe Flamurtari – Vllaznia.
Tirana-Elbasani 2-0
Shënues: Sefa 54’, Bakaj 90’ (11-m)
Tirana fiton pastër, ndonëse jo shumë lehtë ndaj Elbasanit, në Fushë-Krujë, me rezultatin 2-0 dhe mban kreun e klasifikimit, duke e ndarë atë me Kukësin. Bardheblutë mposhtën Elbasanin e vendit të fundit, me dy gola të Sefës e Bakajt në pjesën e dytë, ndërkohë që Elbasani me këtë humbje thuajse e ka prerë biletën për në një kategori më poshtë. Pjesa e parë shënoi raste për gol, nga ana e kryeqytetasve, por mbyllet në barazim 0-0. Në 54′ Jetmir Sefa kalon Tiranën në avantazh. Një kundërsulm i shpejtë i bardhebluve dhe mesfushori gjendet i lirë në zonë, ku godet dhe realizon golin e avantazhit. Më tej në minutat e mbetura Muzaka ka një mundësi të mirë dhe Bakaj rrezikon pas një goditje me kokë por topi i tij përfundon jashtë. Në 90’ Muzaka fiton një penallti dhe Bakaj nuk gabon nga pika e bardhë. 2-0 për Tiranën. Tirana merr një fitore të rëndësishme, që e mban sërish në krye edhe pas javës së 22-të së bashku me Kukësin në kuotën e 47 pikëve, ndërkohë Elbasani mbetet i parafundit me 12 pikë.
Kukësi-Partizani 3-0
Shënues: Pejiç 14’ , Zeqiri 39’, Shameti 63’
Pritej një atmosfere e tillë në “Ymer Zeqiri” të Kukësit. Stadiumi i mbushur plot, si në një ditë feste, kjo për faktin se dy skuadra pretendente përballeshin me njëra-tjetrën, ku vendasit prisnin të kuqtë kryeqytetas. Kukësi e nis mjaft mirë ndeshjen dhe në minutën e 14’ gjen golin. Shameti jep një asist perfekt sulmuesit kroat Pero Pejiç dhe kroati godet pa u menduar, duke mposhtur portierin Hoxha. Përpjekjet e Partizanit për të dyfishuar shifrat marrin një goditje të fortë në 39’, pasi Kukësi dyfishon rezultatin. Kosovari Lushtaku kroson në zonë dhe Dushku me kokë e çon topin tek vlonjati Zeqiri, i cili e shtyn topin në rrjetë. Partizani nuk mund ta kishte menduar se në dhomat e zhveshjes do të futej me një rezultat të tillë, ndërsa në një kohë të bukur me diell janë tifozët e Kukësit, që nisin të festojnë para kohe gjatë pushimit të ndeshjes. Pjesa e dytë nuk mund të sillte asgjë, veçse përpjekje të dëshpëruara të Partizanit që nuk gjen dot as golin e nderit. Kjo për faktin se një minutë para se të mbyllej pjesa e parë, Partizani mbeti me 10 lojtarë. Idriz Batha u ndëshkua me karton të kuq, pas ndërhyrjes së rëndë ndaj Xhefersonit dhe e la ekipin e tij me 10 lojtarë. Në minutën e 64-ët Kukësi trefishon rezultatin me Ylli Shameti, i cili gjen golin pas një goditje me kokë duke mposhtur për herë të 3-të portierin Alban Hoxha. Partizani dorëzohet pa kushte pas këtij goli dhe merr ndoshta goditjen më të forta në pretendimet e larta që ka për titull. Për të rikuperuar gjashtë pikë me dy ekipet kryesuese të momentit, Kukësin dhe Tiranën, ndoshta do t’iu duhet një mrekulli të kuqve që t’ia dalin mbanë.
Teuta-Laçi 1-3
Shënues: Dita 56’/ Meto 27’ Cetkoviç’ 54′ Zefi 95+’
Teuta humb brenda në shtëpi me Laçin dhe më tej i duhet të bëj llogaritë që të mos bjerë nga kategoria, pasi pozitat e saj mund të rrezikohen nga dy ekipet që e ndjekin, Elbasani e Apolonia. Porsa i përket një vend në Kupat e Europës, “djemtë e detit” me humbjen e sotme 1-3 me Laçin thuajse vetëm matematikisht mund të arrijnë suksesin, por faktikisht janë jashtë loje mbi këtë objektiv. Pas fitores së diskutueshme me Kukësin një javë më parë, Laçi fiton edhe në “Niko Dovana” 1-3 dhe ecën më i sigurtë në ndjekje të ekipeve pretendente për titull. Në minutën e 27-të zhbllokohet sfida në Durrës, kur Meto kalon Laçin në avantazh pas një zbritje të shpejtë të kurbinasve. Mesfushori fierak që shënoi dy golat e fitores ndaj Kukësit një javë më parë, bëhet sërish protagonist, dhe i jep avantazhin ekipit të tij. Në fundin e pjesës së parë Teuta ka dy mundësi të mira. Në minutën e 54’ Çetkoviç dyfishon shifrat për Laçin pas një goditje në afërsi të zonës dhe miqtë fitojnë sigurinë e fitores, që zgjat vetëm dy minuta në 56′ Bruno Dita shkurtoi diferencën në 2-1. Pas golit të shënuar, Teuta rrit edhe më shumë sulmet në drejtim të portës së Laçit për të barazuar rezultatin, por në futboll ka edhe një anë tjetër medalja. Në fund kur ndeshja po i drejtohet fundit Zefi shënon golin e 3-të për Laçin duke vulosur kështu fitoren 1-3 në favor të ekipit të tij. Laçi ngjitet në kuotën e 35 pikëve ndërsa Teuta vijon të mbetet me 19 pikë.
Apolonia-Skënderbeu 0-1
Shënues: Stojkov 27’
Skënderbeu fitoi minimalisht në “Loni Papuçiu” të Fierit, duke marrë tre pikë dhe duke u ngjitur në vend të tretë, po 3 pikë larg kryesuesve të Tiranës dhe Kukësit. Skënderbeu e nisi në sulm ndeshjen dhe gjen golin në 27’, kur Progni niset nga e djathta dhe pason për Stojkov, ndërsa sulmuesi bullgar i ardhur gjatë merkatos së dimrit, me portën pa portier, e dërgon topin në rrjetë duke kaluar kampionët në fuqi, në avantazh. Talenti beratas Myrto Uzuni u përpoq për vendasit të barazonte shifrat me disa raste që pati në minutat në vazhdim, sikurse miqtë mund të kishin dyfishuar rezultatin. Të besuarit e trajnerit Mirel Josa largohen nga Fieri me tre pikë të arta dhe me shpresa se mund ta fitojnë ata titullin e pestë radhazi kampion.
Flamurtari – Vllaznia 3-0
Shënues: Abilaliaj 37’, Buval 47’, Maxhuni 68’
Flamurtari fitoi pastër 3-0 ndaj Vllaznisë, duke ngjitur shkallët dhe duke zhytur në krizë kuqeblutë. Që në 6’ Telushi godet shtyllën dhe jep sinjalet e para. Në 37’ vjen goli. Abilaliaj çon në avantazh Flamurtarin, pasi Telushi goditi nga jashtë zonës, topi përfundon në këmbët e Abilaliaj, i cili në rrëmujë mes mbrojtësve nuk mendohet dhe gjuan drejt në portë. Me fillimin e pjesës së dytë, në 47’, francezi i ardhuri gjatë pjesë së dytë të këtij sezoni, Buval, realizon golin e dytë për vendasit, pas një gabimi të mbrojtjes, rast të cilin e shfrytëzon mjaft mirë. Dhe në 68’ Lorik Maxhuni shënon golin e tretë pë Flamurtarin, këtë herë duke përfituar nga një gabim i pafalshëm i portierit Selimaj. Ish-lojtari i Flamurtarit gjatë pjesës së parë të këtij sezoni, Gilman Lika, bëri përpjekje për të shkurtuar diferencën, por pa ia dalë mbanë. Duket se edhe situata nuk është e qetë në Shkodër. Pas shkarkimit të ndihmësit të trajnerit italian, dhe emërimit të Vioresin Sinananit si ndihmës-trajner trajneri italian Ranjeri, ka parandjerë diçka dhe ka dalë kundër këtyre ndryshimeve. Por pas humbjes 3-0 në Vlorë, duket se largimit të tij po “i troket ora”, teksa burime të sigurta pranë Vllaznisë konfirmojnë se ish-bomberi Vioresin Sinani mund të gradohet këtë javë në krye të stolit të Vllaznisë.
Kategoria Superiore
Java e 22-të/ Të shtunën
Kukësi-Partizani 3-0
Tirana-Elbasani 2-0
Teuta-Laçi 1-3
Flamurtari-Vllaznia 3-0
Apolonia-Skënderbeu 0-1
Klasifikimi
Tirana 47
Kukësi 47
Skënderbeu 44
Partizani 41
Laçi 35
Flamurtari 31
Vllaznia 23
Teuta 19
Elbasani 12
Apolonia 9
KOHA JONË SONDAZH

