Partizani feston 80-vjetorin e themelimit, Duka: Model i stabilitetit dhe vizionit në futbollin shqiptar
Presidenti Armand Duka ishte i ftuar në ceremoninë festive të 80-vjetorit të themelimit të KF Partizani, një prej klubeve më të mëdha dhe më me histori në futbollin shqiptar. Një përvjetor jubilar që mblodhi figura të rëndësishme të sportit, ish-futbollistë legjendarë dhe përfaqësues të institucioneve, duke reflektuar mbi kontributin e jashtëzakonshëm që Partizani ka dhënë ndër dekada në zhvillimin e futbollit në vend.
Në fjalën e tij, Presidenti vlerësoi historinë, trashëgiminë dhe transformimin e klubit ndër vite, duke theksuar rëndësinë e vizionit, stabilitetit dhe investimeve që e kanë shndërruar Partizanin në një model modern menaxhimi dhe zhvillimi sportiv. Kreu i futbollit shqiptar shprehu mirënjohjen për Presidentin e KF Partizanit, Gazment Demin për punën e bërë si edhe figurat e mëdha që kanë luajtur futboll për Partizanin.
“Kam nderin të jem pjesë e datëlindjes së një prej klubeve më të mëdhenj në Shqipëri. Partizani në 8 dekada ka kontribute të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar. Nga themelimi e deri sot ka kaluar në forma të ndryshme të organizimit, që nga ajo shtetërore, shoqata dhe sot është një shoqëri aksionere me pronar të vetëm Gazment Demin dhe familjen e tij.
Me këtë rast dua ta falënderoj Gazin për drejtimin, vizionin, stabilitetin që i ka dhënë klubit dhe për investimet që ka bërë për këtë Partizan ku ne jemi sot. Në një projekt akoma të pambaruar, por sigurisht që do jetë projekti më i mirë i një klubi shqiptar. Faleminderit Gazi.
Dua t’i shpreh mirënjohjen të gjithë atyre që kanë luajtur futboll për Partizanin. Do të rikujtoja disa nga ato figura shumë të mëdha: mbretin e futbollit shqiptar, Panajot Panon, Lin Shllakun, kapitenin e 15 viteve dhe bashkëpunëtorin tim për shumë kohë, Ilir Shulkun, Ylli Shehun, Genc Tomorrin, Ledio Panon e shumë e shumë emra të tjerë që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar dhe Partizanit.
Në këtë kompleks do të luajmë edhe ndeshjet finale të kampionatit Europian për nën 21-vjeçarët në 2027 falë investimeve të Gazit, familjes Demi, qeverisë shqiptare dhe FSHF-së. Kur jemi bashkë, gjithmonë bëjmë gjëra të mira.
Në kohët modern, një klub kërkon stabilitet, vizion, menaxhim. Dhe këto Partizani sot i ka. Akademia e Partizanit është një nga më të mirat në Shqipëri, që prodhon talente dhe që e bën akoma më të sigurt të ardhmen e tij në futboll. I uroj shumë suksese, i shpreh mirënjohjen dhe njëherë atyre që kanë kontribuar te Partizani, i ftoj të vazhdojnë ta mbështesin me po të njëjtin zell Partizanin gjithë tifozët e Partizanit në të gjithë Shqipërinë. Suksese dhe sa më shumë rezultate dhe fëmijë të veshin fanellën e Partizanit dhe të luajnë futboll”, tha Presidenti Duka në fjalën e tij të rastit të mbajtur në ceremoninë festive të 80-vjetorit të themelimit të KF Partizani.

KOHA JONË SONDAZH

