Partizani fiton ndaj Skënderbeut në dëborë, Tirana përmbys Kastriotin

Partizani rikthehet në rrugën e fitoreve në kampionat, duke marrë një sukses në dëborë ndaj Skënderbeut. “Të Kuqtë” triumfuan 2-1, në një duel të luajtur në kushte të vështira. Jurgen Bardhi zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 3-të me një goditje me kokë. 4 minuta më pas u përsërit një aksion i ngjashëm, por këtë herë ishte Solomon që realizoi një super gol me goditje me kokë.

Korçarët rihapën ndeshjen në minutën e 65-të me një gol të Mensah, por pa mundur që të shënonin sërish. Me këtë sukses Partizani i bashkohet me 23 pikë Teutës në vendin e dytë, por me 9 pikë më pak se Vllaznia kryesuese.

Tirana fitoi me përmbysje 2-1 kundër Kastriotit. Bardheblutë u gjendën në disavantazh pas 20 minutash, pasi Devid shënoi për krutanët. Idriz Batha barazoi në minutën e 35-të. Në fillimin e pjesës së dytë, talenti Muci shënoi dhe golin e dytë dhe të fitores. Në minutat e fundit debutoi edhe Seferi, por pa mundur që të shënonte.

Befason Laçi, që pësoi një humbje të papritur 1-0 ndaj Apolonisë në transfertë. Golin e vetëm e shënoi Gjata në minutën e 21-të. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP