Partizani heq dorë nga titulli, Kukësi i kërkon të dy trofetë
Beteja për titull, për një vend në Europë dhe për mbijetesën në Kategorinë Superiore, mund të marrë drejtim tjetër, në bazë të rezultateve që do të arrihen në fund të ndeshjeve të javës së 32-të që do të luhen të shtunën dhe të djelën. Të kuqtë e Shpëtim Duros, në rast fitoreje nesër me Teutën në Durrës, do të barazohen me pikë me Kukësin e Tiranën, dhe të tre këto ekipe do të jenë vetëm tre pikë larg Skënderbeut. Por përballja mes Kukësit dhe Skënderbeut, që do të luhet të djelën, shihet si më vendimtare për fatet e titullit kampion. Tirana në “Qemal Stafa” pret Laçin ndaj së cilës nuk ka fituar asnjë nga pesë ndeshjet e këtij sezoni dhe i duhet patjetër fitorja që të jetë në vallen e titullit. Në fund, Teuta nëse humb me Partizanin, i jep shanse Apolonisë të shpresojë tek mbijetesa.
Partizani, shansi i fundit
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, pas mungesës së fitores në dy javët e fundit, e ka të qartë se përballë Teutës, për të mos rrezikuar objektivat, duhet patjetër fitorja. – “Teuta është një kundërshtar i vështirë me elementë të mirë në përbërje. Nuk do të jetë e lehtë për ne, por synimi ynë është vetëm fitorja pasi dëshirojmë të luajmë në Europa League sezonin e ardhshëm”. Titullin kampion që e pretenduan gjatë gjithë sezonit, Duro e sheh praktikisht të pamundur për t’u arritur, por nëse nuk fitohet ndeshja me Teutën, mund të vihet në rrezik edhe pjesëmarrja në Europë. – “E shoh të pamundur që ne të fitojmë kampionatin, prandaj duhet të mendojmë për Europa Leaguen që do të jetë një lloj parapërgatitjeje për sezonin e ardhshëm. Partizani e ka grupin dhe me 2-3 përforcime cilësore do të jetë pretendent për titullin”. Mbrojtësi Ardian Cuculi do të jetë mungesa e vetme e Partizanit ndaj Teutës, për shkak të kartonit të kuq që mori në takimin me Kukësin. Titullar rikthehet Emiljano Vila, i cili mungoi për arsye pezullimi ndaj verilindorëve.
Kukësi, nesër për të dy trofetë
Kualifikimi në finalen e Kupës së Shqipërisë, për Kukësin, që eliminoi Skënderbeun, ka rritur optimizmin se edhe në prag të sfidës direkte me kampionët e Shqipërisë në “Zeqir Ymeri” mund të sigurohet fitorja që do ta sillte në krye të kampionatit ekipin verilindor dhe më pranë trofeut të titullit kampion. Mbrojtësi Erjon Dushku kujton se është momenti i duhur që Veriu i Shqipërisë të festojë të dy trofetë sezonale. – “Në Kukës janë përgatitur për festë dhe unë mendoj se është momenti që titulli kampion dhe Kupa të fitohen nga Veriu. Besoj se me një fitore të mundshme ndaj Skënderbeut do të jemi shumë afër suksesit.” Për trajnerin Artim Shaqiri, sfida me Skënderbeun mund të konsiderohet si finale, por jo e fundit para titullit kampion për Kukësin. – “Kjo është finalja e radhës, por jo ndeshja që do të na japë titullin. Kemi edhe katër ndeshje të tjera madje edhe me rivalë si Tirana”. Marrëdhëniet mes Shaqirit dhe Gjicit nuk kanë qenë aq të mira. Presidenti i verilindorëve Gjici i ka kërkuar dorëheqjen, pas disa luhatjeve të skuadrës së tij. Trajneri 41-vjeçar sqaron situatën. – “Nuk mund të flas tani për të ardhmen time, sepse jam i përqendruar për ta mbyllur me trofe sezonin”. Në kampin tjetër Skënderbeu pas humbjes së mundësisë për të shkuare në finalen e kupës, e sheh përballjen me Kukësin si shansin e vetëm që të fitojë ndeshjen dhe të afrohet më pranë titullit të pestë radhazi kampion.
Kategoria Superiore
Java e 32-të/Të shtunën
Flamurtari –Elbasani 14:00
Apolonia – Vllaznia 17:00
Teuta-Partizani 17:00
Të djelën
Kukësi-Skënderbeu 16:00
Tirana-Laçi 19:00
Klasifikimi
Skënderbeu 66
Kukësi 63
Tirana 63
Partizani 60
Laçi 57
Flamurtari 35
Vllaznia 34
Teuta 26
Apolonia 19
Elbasani 13
Tirana
Ndikumana: Kartoni i kuq në Laç? “Dhuratë” e gjyqtarit
Selemani Ndikumana për ndeshjen e radhës kundër Laçit flet pas ishte protagonist në mesjavë, në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë ndaj të njëjtës skuadër. Sulmuesi nga Burundi u dënua me karton të kuq për 90 minutëshin e Kupës për shkak të një konflikti me Olsi Teqjan, ndërsa Komisioni i Disiplinës dha edhe një tjetër vendim në dëm të tij me dy ndeshje pezullim. Ndikumana ndihet ende i habitur nga ajo çfarë ka ndodhur në fushën e Laçit duke hedhur hije dyshimi mbi arbitrin Pashaj. – “Pyes veten pse erdhi ai vendim nga ana e gjyqtarit, sepse në fushë ndodhi thjesht një kontakt loje dhe asgjë më tepër. Nuk arrij ta kuptoj pse u ndëshkova me të kuq sepse nuk bëra asgjë. Nuk e godita Teqjan, thjesht e shtyva sepse ai po varej në qafën time. Arbitri ishte mes nesh dhe pa gjithçka shumë mirë”. Ai përgënjeshtroi fakti se e përshtyu kundërshtarin. – “Nuk është aspak e vërtetë që kam pështyrë, madje një gjë të tillë e bëri numri 28, Veliu, ndaj meje. Ai erdhi dhe më pështyu.” Ai megjithatë thotë se po kalon momente të mira me bardheblutë. – “Marrëdhënia ime me Maganin është normale, si ajo e një trajneri me lojtarët. Nuk ka asgjë tjetër që duhet ta sqaroj. Të gjithë më pyesin për këtë por e theksoj që kam një marrëdhënie të mirë me trajnerin,” – shprehet Ndikumana.
KOHA JONË SONDAZH

