Partizani ka ende shpresë në CAS

Në një seancë të kërkuar nga skuadra e Partizanit, si palë e dëmtuar por me një pjesëmarrje virtuale për shkak të pandemisë, që ul rendimentin e skuadrës së avokatëve, Gjykata e Arbitrazhit sportiv në Lozanë zhvilloi seancën e programuar për çështjen Erald Çinari.

Ky i fundit u dënua me 4 muaj pezullim, ndërsa Demat e kuq morën goditjen nga FIFA për ndaljen në 3 sesione merkatoje, diçka e padrejtë sipas klubit kryeqytetas që insiston se ka vepruar konform ligjeve.

Qeveria e futbollit botëror gjobiti me 83 mijë euro Partizanin, dhe vetë futbollistin për shkelje të pretenduara. Por me seancën e fundit, klubi shqiptar shpreson se do evitojë pagesën e madje do marrë edhe dëmshpërblim.

”Në komunikimin me panelin e KAS palët kanë paraqitur të gjitha pretendimet e tyre, si dhe janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve të përfshirë në këtë proçes. FK Partizani është përfaqësuar në këtë seancë gjyqësore online, nga Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama, si dhe avokati i mirënjohur Juan de Dios Crespo Peres dhe zyra e avokat Antonio Conte. Ky grup ka punuar intesivisht përgjatë gjithë kësaj periudhe për përgatitjen sa më efikase të mbrojtjes dhe demonstrimit të pafajësisë sonë. Pritet që vendimi nga KAS të merret brenda muajit dhjetor”.

SHKARKO APP