Partizani kërkon t’i rrëmbejë Tiranës Taulant Seferin, nisin kontaktet
Partizani kërkon të përfitojë nga dënimi i Tiranës në merkato për të rrëmbyer Taulant Seferin. Të Kuqtë kërkojnë të përfitojnë menjëherë nga bllokimi i transferimeve duke u rrëmbyer një futbollist me të cilin drejtuesit e kampionëve kishin rënë dakord, madje edhe e zyrtarizuan në rrjetet sociale.
Kontaktet mes Partizanit dhe përfaqësuesit të futbollistit kanë nisur, madje ka patur bisedime edhe mes klubit të Young Boys, që zotëron kartonin e 24-vjeçarit dhe drejtuesve të 16 herë kampionëve të Shqipërisë. Formula që punohet është e njëjta si në rastin e transferimit të munguar tek Tirana, më konkretisht huazim deri në fund të sezonit, teksa pagesa mund të ndahet mes klubit zviceran dhe atij shqiptar.
Në verë përfundon edhe kontrata e Seferit me Young Boys dhe nëse palët gjejnë akordin, atëherë nuk përjashtohet edhe nënshkrimi përfundimtar me të kuqtë në merkaton verës, por kjo do të varej nga pjesëmarrja apo jo në Europë e “demave”.
Futbollisti i kombëtares shqiptare është në kërkim të minutave duke qenë se këtë sezon nuk është aktivizuar për asnjë sekondë në ndeshje zyrtare me Young Boys dhe Shqipëria duket se është destinacioni i preferuar i djaloshit nga Kumanova.