Partizani “sherr” në distancë me Skënderbeun, Sukaj akuzon Vllazninë

 

Partizani fitoi 2-1 ndaj Skënderbeut, duke i ngjitur i vetëm në krye të klasifikimit. Pas ndeshjes që vendosi fatet e kreut,  klubi “Partizani” reagon për deklaratën e Skënderbeut. – “U kujtojmë drejtuesve dhe klubit korçar që të jenë më të matur në deklaratat e tyre. Drejtuesit e Skënderbeut pretendojnë se goli i barazimit është shënuar nga një pozicion i parregullt. Për më tepër në deklaratë citohet se ky episod i tillë është evidentuar vetëm nga “Supersport”, që çuditërisht nuk ka evidentuar një episod shumë të dukshëm dhe të diskutueshëm në zonën e Shehit, një prekje evidente me dorë nga mbrojtësit korçarë.  Çuditërisht, në golin e barazimit, askush nga lojtarët korçarë nuk ka protestuar, qoftë edhe më një gjest në drejtim të kryesorit Jemini. Por, ajo që është më absurd, ka të bëjë me faktin se edhe në përfundim të takimit, si Josa, ashtu edhe Salihi, në prononcimet “live” të tyre, për asnjë moment nuk kanë pohuar se Partizani barazoi me një gol të parregullt. Për më tepër, klubi Partizani, në faqen e tij zyrtare për çdo ndeshje poston edhe pamje filmike (video), të cilat fatmirësisht në ndeshjen ndaj Skënderbeut shfaqin dukshëm dy episode, golin e barazimit dhe momentin e prekjes me dorë nga mbrojtësit korçarë,” – thuhet në reagimin e Partizanit. Në deklaratë citohet se edhe pretendimi i Skënderbeut, se FSHF po ndihmon ekipin e tyre nuk qëndron. “FSHF është e lidhur ngushtë me Partizanin. E rikthesojmë edhe një herë se Klubi i Futbollit Partizani respekton në mënyre rigoroze rregulloret e parashtruara nga institucioni më i lartë i futbollit në vend, për më tepër që, si Partizani, ashtu edhe Skënderbeu, janë anëtarë të FSHF-së. Klubi  i Skënderbeut duhet të tregohet më serioz në deklaratat që përcjell dhe të mos përbaltë fitoren dhe emrin e madh të Partizanit. Mospranimi i humbjes në fushën e lojës nga kundërshtarët është mungesë respekti e “Fair-play”,” – reagoi klubi i Partizanit.

Reagimi i klubit korçar

Swiss Digital Desktop Reklama

Skënderbeu: Pavarësisht luftës ndaj nesh, e pamundur të na rrëzoni nga froni!

Swiss Digital Mobile Reklama

Klubi i Skënderbeut ka reaguar një ditë pas humbjes me Partizanit, se po tentohet të ndihmohet skuadra  kryeqytetase për titullin kampion. Goli i dytë i Partizanit, shënuar nga Labinot Ibrahimi, sipas drejtuesve kuqebardhë, ka qenë në pozicion jo të rregullt, por edhe roli i medieve apo i FSHF-së, ka qenë për t’u dënuar. – “Marrim shkas nga çensura në mediat e shkruara, ku nuk është paraqitur as edhe një fjali për golin “offside” të ekipit të Partizanit, për të reaguar rreth standarteve të ndryshme që përdorin mediat shqiptare, por edhe zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit për situata të ngjashme. Na vjen keq që, përveçse në “Supersport”, goli “offside” nuk u paraqit në asnjë media të shkruar, kjo për shkak të interesave të drejtuesve të këtyre gazetave. Goli ishte qartësisht pozicion jashtë loje dhe ndihmoi ekipin e kuq të fitonte ndeshjen,” – thuhej në reagimin e Skënderbeut. Më tej reagimi vazhdonte me: “Është e pabesueshme se si gjyqtari kryesor, ata anësorë, si dhe të tjerët prapa porte, e kanë të vështirë të dallojnë 3 lojtarë përpara portierit Orges Shehi. Kjo situatë është qartësisht një mbështetje për të zbritur ekipin tonë nga froni. Këtë e përkrahin edhe disa media, disa “gazetarucë” apo disa zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët janë të lidhur ngushtë me klubin e Partizanit. Sidoqoftë, është pamundur t’i dalin përpara “urisë” së kampionëve tanë për të fituar titullin kampion dhe për të dominuar çdo kundërshtar. Një aspekt tjetër, ku dëshirojmë të ndalemi, janë ofendimet e tifozëve vendas gjatë gjithë 90 minutave kundrejt presidentit, lojtarëve dhe qytetit të Korçës. Nëse ato ofendime do të bëheshin në stadiumin “Skënderbeu”, loja do të ishte ndaluar dhjetëra here, por Jemini ka mundësi që dje të kishte vendosur “pambuk” në veshë. Është e pamundur të dëgjosh ato lloj ofendimesh nga disa tifozë, që i përkasin “llumit” të vendit tonë të dashur, madje të mbështetur nga Klubi i Partizanit, dhe të mos reagosh në asnjë moment. Pavarësisht luftës së hapur ndaj Skënderbeut, do ta keni të pamundur të na rrëzoni nga froni, do ta kenë të pamundur ta mposhtin ekipin më të mirë në historinë e futbollit shqiptar,” – shkruhet në reagimin zyrtar të Skënderbeut, pas ndeshjes.

 

Sukaj: Drejtuesit e Vllaznisë më vodhën 50 mijë euro

Sulmuesi kryesor i Partizanit, Xhevahir Sukaj, shpjegon të shkuarën e tij me klubin ku edhe u rrit, Vllaznia. “Më erdhi një ofertë e mirë dhe vendosa të transferohesha në Iran. Mirëpo, kur u transferova atje, drejtuesit e klubit morën 50 mijë euro nga kartoni im. M’i vodhën më saktë këta drejtues, që janë edhe sot, pasi nuk e mora kurrë vesh pse u dënova para ndeshjes me Skënderbeun,” – është shprehur Sukaj. Për zgjedhjen e të kuqve ai shtoi: – “Edhe mua në fillim të sezonit më telefonuan për 20 sekonda drejtuesit e Vllaznisë dhe më pyetën a do të vish të firmosësh me ne, apo jo. Por unë kam bërë kaq emër në futboll, sa të më respektojnë dhe të më ulin në një tavolinë për të negociuar. Gjynah, se kishte shumë lojtarë shkodranë të mirë në skuadër, që i larguan,” – thotë Sukaj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?