Pas ikjes së Tares, portieri Maignan tashmë kërkon largimin nga kuqezinjtë
Ndryshimet e mëdha në strukturën drejtuese të Milanit pritet të sjellin pasoja të rëndësishme edhe në merkaton e verës, me disa prej yjeve të skuadrës që po rishqyrtojnë të ardhmen e tyre në “San Siro”.
Sipas raportimeve nga Italia, një nga emrat më të përfolur për largim është Rafa Leao. Sulmuesi portugez, i cili ka qenë një nga figurat kryesore të Milanit në vitet e fundit, konsiderohet si kandidati kryesor për t’u sakrifikuar në merkato. Pas shtatë sezonesh me fanellën kuqezi, aventura e tij në Milano duket se po i afrohet fundit.
Në të njëjtën kohë, pikëpyetje janë ngritur edhe mbi të ardhmen e portierit Mike Maignan. Edhe pse gardiani francez rinovoi kontratën deri në vitin 2031 në fillim të këtij viti, situata e re në klub mund të ndryshojë planet e tij.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se ndryshimet në drejtim kanë krijuar pasiguri te disa futbollistë kyç. Maignan, i cili ishte bindur të vazhdonte projektin sportiv falë garancive të marra nga drejtuesit dhe stafi teknik i mëparshëm, mund të rikonsiderojë pozicionin e tij.
Interesi nga klubet e Premier League mbetet i lartë për portierin francez dhe nuk përjashtohet mundësia që gjatë verës të mbërrijnë oferta konkrete për transferimin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

