Pas super golit në Turqi, reagon Alban Meha: Nuk e kuptoj De Biazin!
Alban Meha priti të shënonte një super gol në kampionatin turk dhe të përdorë ironinë e radhës ndaj trajnerit të kombëtares sonë, Gianni de Biazi.
Fantazisti shqiptar, Alban Meha, i cili nuk është grumbulluar nga Xhani De Biazi në miqësoret e fundit, ka qenë protagonist në fitoren e ekipit të tij ekipit turk, Konyaspor, ditën e djeshme. Lojtari kuqezi po kalon një formë të shkëlqyer, ndaj thotë se nuk është duke e kuptuar aspak qëndrimin e De Biazit karshi tij kohët e fundit.
“Prisja një ftesë në ndeshjet miqësore, sepse po luaj rregullisht, po bëj mirë për ekipin tim dhe po shënoj. Unë nuk isha në Kombëtare, ndërkohë që ishin edhe lojtarë që nuk po luajnë rregullisht. Kisha shumë dëshirë që të luaja në miqësoren me Kosovën, por sidomos doja që të kisha një shans që të tregoja veten. Do të më pëlqente edhe një bisedë me trajnerin për të më thënë përse nuk isha në Kombëtare në këto dy ndeshje,” – tha Meha.
“Dhe unë këtë nuk di ta shpjegoj përse ndodh, kur e di që De Biazi ka thënë që do të jenë ata lojtarë që kanë më së shumti minuta me ekipet e tyre. Prej një kohe nuk më ka kontaktuar apo që të vijë për të ndjekur ndeshjet e mia. Nuk kam bërë asgjë të keqe dhe as nuk kam shprehur asgjë që të mund të ndikojë që unë të mos jem në Kombëtare”, u shpreh Meha.
Alban Meha shënoi një super-gol në fitoren e Konyaspor 3-2 ndaj Eskisehirspo.
KOHA JONË SONDAZH

