Pedro te Chelsea për 28 mln euro, ishte fiksimi i Mourinhos
Pedro Rodrigez dhe transferimi i tij te Chelsea, nën urdhrat e Mourinho-s është çështje orësh. Gjatë gjithë verës është folur për transferimin e tij te Manchester United dhe një derbi me City-n për talentin spanjoll, por nga gjithë kjo situatë ka ditur të përfitojë Chelsea që pa shumë bujë, e madje pothuajse në fshehtësi të plotë gjatë natës ka arritur akordin në parim me Barcelonën. Chelsea ka bërë gati 28 milionë euro që do të paguhen menjëherë, plus 2 milionë euro të tjera në formën e bonuseve, duke kaluar në këtë mënyrë ofertën e Manchester United që ishte gati të paguante 25 milionë euro plus 5 milionë të tjera, nëse arriheshin disa objektiva. Manchester City flitej se kishte hapur një derbi në merkato me United për Pedron, por nuk kishte bërë asnjë ofertë konkrete për sulmuesin. Pedro ndodhet tashmë në Londër për vizitat mjekësore pas të cilave pritet dhe lajmërimi zyrtar nga ana e klubeve. Barcelona i ka dhënë lejen futbollistit të saj për të udhëtuar drejt kryeqytet anglez çka të lë të kuptosh se operacioni është praktikisht i mbyllur.
KOHA JONË SONDAZH

