Pep Guardiola mendon “përmbysjen” e madhe, bastet nuk “i besojnë” Realit
Rezultati 0-0 i çerekfinales së parë mes Atletico dhe Real në “Vicente Calderon” i lejon “Los Colchoneros” të kualifikohen në gjysmëfinale me çdo barazim me gola, ndërsa dëmtimet e Modriç, Bale dhe Benzema, i kanë ulur kuotat e “Los Blancos”, për të vijuar më tej në Champions, për të mbrojtur kurorën, gjithsesi formacioni i Carlo Ancelottit mbetet favorit absolut.
Para se të luhej çerekfinalja e parë, kualifikimi i Realit kuotohej 1.45, ndërsa orët e fundit ky koeficient është rritur në 1.59. Ndryshimin më të madh krahasuar me një javë më parë e ka pësuar koeficienti për kualifikimin e Alteticos, që nga 2.59 ka shkuar në 2.3.
Kompanitë e basteve që i kanë ndryshuar më shumë koefiçentët e tyre në favor të kualifikimit të Atleticos së Madridit janë “Bet365” dhe “Bwin” me 0.35 pikë, ndërsa te “William Hill” ky ndryshim është më pak i ndjeshëm.
Përsa i përket rezultatit final, më të mundshmet sipas kompanitë e basteve janë shifrat 1-1 dhe 1-0.
Cristiano Ronaldo është futbollisti i të dyja skuadrave me më shumë shanse për të shënuar në në euroderbin e Santiago Bernaeut. Kush vë bast një Euro se ylli luzitan shënon golin e parë të takimit, fiton 4.5 Euro, ndërsa vetëm që i shënon Altetico fut në xhep 2.1 Euro.
Ndërsa goli i parë i ndeshjes i shënuar nga Griezman kuotohet me koeficientin 9, dhe që thjesht shënon për Atletico, 3.75.
Koeficentët e ndeshjeve të tjera favorizojnë kualifikimin e Barcelonës dhe fitoren e dytë radhazi ndaj PSG, kualifikimin e Juves dhe po ashtu fitoren e dytë radhazi ndaj Monacos, ndonëse edhe golat në këtë ndeshje parashikohet të jenë më pak se tre, sikurse fitorja e Bayern Mynih me gola ndaj Portos, duke qenë se vetën në këtë mënyrë i duhet kualifikimi, megjithatë, gara mbetet e hapur dhe surprizat po ashtu.
Sot, ora 20:45, Barcelona-PSG (3-1)
Barça, Enrique: Të mos mendojmë, se jemi kualifikuar
Luis Enrique si gjithmonë qëndron me këmbë në tokë përpara një ndeshje të rëndësishme, pavarësisht se për Barcelonën të nisë një 90 minutësh me rezultatin 3-1 në favor është një epërsi tejet e madhe. Trajneri i blaugranave ashtu si para ndeshjes së dytë me Manchester City pranon se për të arritur kualifikimin duhet luajtur ende dhe një ndeshje: – “Këtë ndeshje e kemi përgatitur me seriozitet maksimal. Nuk jemi më të favorizuar se në ndeshjen e parë. Sigurisht kemi fituar por kemi ende dhe 90 minuta. Do të synojmë të kontrollojmë topin dhe bashkë me të dhe lojën. Duhet të dimë të përballemi me çdo situatë që do të ndodhë gjatë ndeshjes dhe nuk duhet të mendojmë se gjithçka ka përfunduar, sepse ashtu si ne dhe PSG është kandidat për të kaluar në gjysmëfinale”. Ibrahimoviç do të rikthehet për parizienët dhe për Enriquen kjo është një vlerë e shtuar për kundërshtarin: – “Nuk mendoj se PSG do të ndryshojë stilin e lojës vetëm prej Zllatanit, por sigurisht kur ke në fushë një element të tillë gjërat janë më të thjeshta, pasi Ibrahimoviç e njeh shumë mirë portën”. Iniesta ka mundur të riaftësohet për këtë ndeshje ashtu si dhe Jeremy Mathieu që do të jenë rregullisht në fushë për blaugranat.
PSG, Blanc: Të japim më të mirën, kualifikimin nuk përjashtohet
Shpresa vdes e fundit për PSG që kërkon të besojë pavarësisht se rezultati dhe statistikat nuk e favorizojnë. Laurent Blanc nuk kërkon të dorëzohet përpara transfertës së “Camp Nou” dhe këtë e bën të qartë për të gjithë. – “Po, ne kemi shpresë edhe pse e dimë se nuk do të jetë një sipërmarrje e lehtë, madje tejet e vështirë. Nuk kemi pasur shumë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje, ashtu si dhe Barcelona në fakt, që kishte po dy ditë në dispozicion. Gjithsesi përpara një takimi të tillë duhet të shfaqim anën tonë më të mirë”. Për Blanc është e rëndësishme që në skuadrën e tij ka lojtarë që kanë veshur më parë fanellën e Barcelonës, siç është Ibrahimoviç dhe braziliani Maxëell: – “Është diçka e mirë që kemi futbollistë që e kanë prekur nga afër kulturën e lojës së katalanasve, që e njohin shpirtin e këtij klubit dhe filozofinë e tij. Kjo na bën të jemi të përgatitur për atë që do të na presë në fushë. Te Barcelona, filozofia nuk ka ndryshuar shumë kohët e fundit. Ajo ka mbetur gjithmonë e njëjta. Ne do të përballemi me një skuadër që kërkon të ketë zotërimin e topit, sepse kjo është filozofia e saj”. Mungesa e sigurtë e Blanc në këtë ndeshje është ajo e Serge Aurier që është i skualifikuar ndërsa me shumë gjasa nuk do të jetë i gatshëm Thiago Silva.
Sot ora 20:45, Bayern-Port (1-3)
Pep Guardiola: Kemi shanset tona, të “përmbysim” Porton,
Ndeshja më e rëndësishme e sezonit për Bajern Mynih. Sot, ora 20:45, bavarezët do të kërkojnë kualifikimin në “Allianz Arena” kundër Porto. Përmbysja e humbjes 3-1 në ndeshjen e parë nuk do të jetë e lehtë. Trajneri Pep Guardiola e di mirë këtë. – “Kjo është ndeshja jonë më e rëndësishme, ashtu siç ishte ajo dhe me Shaktar Donetskun. Kur luan në Champions League në Mars, çdo ndeshje është më e rëndësishme sepse ke mundësinë të kalosh më tej në këtë kompeticion. Por kjo është gjithashtu dhe ndeshje më e rëndësishme për Porto, ashtu siç është për Juventus, Monaco dhe Barcelonën. Këto ndeshje janë gjithmonë të rëndësishme. Por ne e dimë, mirë atë që duhet të bëjmë. Ka ardhur momenti t’i lëmë fjalët e të kalojmë te veprat sepse tifozët do të na ndihmojnë vetëm nëse e kuptojmë që ne po japim maksimumin në fushë”. Java e fundit nuk ka qenë e thjeshtë për Pep Guardiolën, por trajneri spanjoll nuk e cilëson si momentin më të vështirë të karrierës së tij tek bavarezët. – “Nuk ka qenë një aq “ferr” siç e quani ju, gjithsesi kam mësuar shumë në javët e fundit si trajner. Jemi shumë pranë fitimit të Bundesligës, jemi një hap larg finales së Kupës dhe jemi pranë gjysmëfinales së Uefa Champions League. Sigurisht nuk pres të fitojmë 4-0 me Porton, por jam kam bërë të qartë lojtarëve dhe po jua bëj të qartëve të gjithëve, se nëse kërkon të fitosh Champions League duhet të kalosh dhe situata të tilla. Ne jemi në gjendje të përballojmë një presion të tillë dhe kjo është e bukura e futbollit”. Besimplotë Guardiola në prag të çerekfinales së kthimit, ku një eleminim gjithsesi do të vinte jo pak në diskutim të ardhmen e tij në Mynih duke qenë se ka ardhur në Gjermani për të fituar pikërisht trofeun me veshë të mëdhenj.
KOHA JONË SONDAZH

