Për trofeun më të lakmuar, Bayern e Barcelona nuk njohin kundërshtarë
Sot në mbrëmje (ora 20:45) me dy ndeshjet e mbetura çerekfinale të UEFA Champions League, do të përcaktohene dhe dy ekipet e tjera gjysmëfinaliste të këtij kompeticioni. Juventus udhëton në Monaco ku përballë vendasve synon të ruajë epërsinë e fitores minimale të ndeshjes së kaluar, 1-0, falë golit të Arturo Vidal, me një 11-metërsh. Në kampin tjetër dy ekipet finaliste të sezonit të kaluar, Atletico Madrid dhe Real Madrid do të diskutojnë kualifikimin në “Santiago Bernabeu”, me madrilenët që kanë si avantazh faktorin fushë. Kjo edhe për faktin se ndeshja e kaluar përfundoi në barazim pa gola, por çdo barazim tjetër me gola do të nxirrte jashtë loje të besuarit e Carlo Ancelottit. Të martën në mbrëmje, dy gjigantë të futbollit kontinental, Bayern Mynih dhe Barcelona, prenë biletat e para gjysmëfinale. Tashmë favoritët janë gati për përballjen direkte, pasi askush nuk mund t’i ndalë në udëhtimin e tyre drejt finales së madhe dhe trofeut më të kërkuar në rang klubesh në kontinent.
Bayern- Porto 6-1, ndaleni tani Pep Guardiolën?
Humbja 3-1 në Porto në ndeshjen e parë vuri në vështirësi trajnerin Pep Guardiola , fatet e të cilit dukej se vareshin në fije të perit. Ambienti i pakënaqur tek Bejern për një eliminim të mundshëm ishte mëse evident. Infermieri e mbipopulluar, me Robben e Ribery e Shvajshtajger, ishte edhe një çështje tjetër e ndërlikuar, shto edhe stafin mjekësor të udhëhequr nga doktori Muller-Wolfhart që dha dorëheqjen pas humbjes së kaluar. Por ndeshja e kthimit në “Allianz Arena” propozonte vetëm dy rrugë, përmbysjen ose një precipitim të pozitave të Guardiolës.
Gjashtë golat e Bajernit ndaj Portos vlejnë më shumë se njëmijë fjalë që mund të thuhen për një trajner, që duke i qëndruar statistikave ka fituar gjithçka që mund të fitonte dhe që në karrierën e tij nuk ka gabuar pothuajse kurrë. Disfata 0-4 në gjysmëfinalen e kthimit me Realin e Madridit vitin e kaluar, u kthye në një makth për gjithë ambientin bavarez dhe tifozët e Bajernit anembanë botës që vunë në diskutim filozofinë futbollistike të Guardiolës. Fantazmat e atij diskutimi u kthyen pas ndeshjes së javës së kaluar në Porto, por këtë herë epilogu ishte krejt ndryshe dhe makthi u kthye në një paraqitje ëndrrash, 5 gola ndaj portugezëve vetëm në pjesën e parë , 6-1 në 90 minuta.
Guardiola vuri në gjumë kundërshtarët dhe kritikët, ndërsa Bajerni i tij ka shënuar plot 30 gola në 10 ndeshje të këtij edicioni të Champions League. Në mënyrë paradoksale ekziston mundësia që të rezultojë më e bujshme disfata në ndeshjen e parë me Porton se fitorja në atë të kthimit, kjo pasi duke u bazuar te vlerat në letër të të dyja skuadrave, Bajerni është të paktën 2 apo 3 shkallë sipër skuadrës së Lopeteguit, dhe kalimi i turit pas hedhjes së shortit dukej një detyrim për kampionët e Gjermanisë. Në këtë aspekt është mirë të kujtohet se si erdhi kjo fitore, duke përballuar mungesën e lojtarëve me peshë, si Ribery, Robben e Schveinsteiger, dhe me presionin e madh pasi Bajernit nuk i lejohej asnjë gabim apo hap fals.
Në takimin me Porton, Bajerni realizoi 6 gola, dhe kundër Shaktarit e Romës kishte shënuar këtë edicion plot 7 gola. Pep Guardiola është një nga ata që ka treguar se me goleadat apo manitat ka goxha besim, mjafton të pyesni Mourinhon. Nga ferri në parajsë brenda një mbrëmjeje të vetme, bavarezët që dukeshin me një këmbë jashtë Championsit, tani janë rifutur aty me prepotencë duke marrë edhe statusin e favoritëve për të fituar kompeticionin. Pavarësisht rezultatit pas ndeshjes para kamerave, Guardiola dukej se nuk e kishte harruar bezdinë që i kishin shkaktuar polemikat e shumta para ndeshjes.
“Në futboll ka shumë luftë, por të vetmet që ja vlen vërtet t’i luftosh, janë ndeshjet me lojtarët, që mund t’i përqafosh, t’u bërtasësh madje deri aty sa të grisësh pantallonat. Në fund të fundit nuk mund të humbasësh energji me gjërat të cilat nuk mund t’i kontrollosh, por unë kam fatin të kem futbollistë shumë të zotë,” – theksoi Pep Guardiola.
Barcelona PSG, 2-0…dhe shkëlqimi i Neymar
Nga përballja e dytë mes Barcelonës dhe PSG pritej shpërthimi i Ibrahimoviç ose Messit, por në vend të tyre shkëlqeu ylli brazilian, Neymar. Braziliani u duk thjesht një jashtëtokësor i zbritur në planetin e Barcelonës për të shkëlqyer mes shumë yjeve të tjerë. 90 minuta të nivelit më të lartë, driblime, spritnte, shpërthime dhe goditje klasi që tregojnë rrugën e një karriere që deri më tani është përshkruar vetëm nga më të mëdhenjtë e futbollit. Ishte mbrëmja e Neymar da Silva Santos Junior, një prej yjeve të kësaj Barcelonë që të paktën për në mbrëmjen e sfidës së kthimit ndaj PSG doli nga guaska dhe hija e Lionel Messit, duke mos qenë më numri 2.
Neymar mori të gjithë skenën për vete, vendosi se ai që duhet të çonte në delir “Camp Nou” këtë herë ishte ai vetë, shfrytëzoi takimin e kthimit të një çerekfinaleje në Championsi që praktikisht ishte vendosur që në takimin e parë. Në këtë mënyrë u shfaq dhe gjenialiteti i 23-vjeçarit që prej kohësh është cilësuar si një i përzgjedhur nga fati, një futbollist mbi të cilin Barcelona prej dy vitesh ka investuar të ardhmen dhe me të cilin Brazili shpreson të arrijë lavditë e së ardhmes. Shumë kanë deklaruar se do të jetë ai Peleja i ri, ndërsa vetë O’Rey ka deklaruar se mund të bëhet edhe më i fortë se ai vetë. Neymar që bënte të cmendeshin tifozët e Santosit, po tregon forcën për të fituar edhe zemrat e atyre të Barcelonës që janë mësuar me “Madhërinë e tij” Lionel Messi. Talenti i tij nuk është vënë në diskutim, por me arritjen e pjekurisë Neymar po përmbush fatin që i është paracaktuar, natyrisht që nuk mund të kishte vend më të mirë për të bërë këtë sesa te Barcelona madje edhe pa Guardiolën.
Neymar nën diellin e Barcelonës është bërë më i madh, më i fortë dhe më i kompletuar se Neymar që dy vite më parë zbarkoi në Europë. Në mbrëmjen ndaj Paris Saint-Germain, Neymar shfaqi një repertor që mund të mos jetë ende i kompletuar pasi ekziston përshtypja se potenciali i tij nuk ka shpërthyer akoma plotësisht. Në golin e parë me lëvizjen në qendër të mbrojtjes pariziene ndërtoi një korridor të padukshëm që mund të shihej vetëm nga Iniesta, dhe pastaj dyfishoi me goditjen me kokë në krosimin e Dani Alves, Neymar vijoi edhe më pas të shpërthejë duke dhuruar gëzim dhe fantazi me lojën e tij. Nëse Barcelona e Guardiolës ishte skuadra e Xavit, Iniestës dhe Messit, ky version i korrigjuar nga Lusi Enrique padyshim që po gërmon në talentin e Neymar, për të hyrë në një tjetër epokë.
KOHA JONË SONDAZH

