Përcaktohet kalendari për Euro 2028, finalja do të luhet në mitikun “Wembley”
UEFA ka njoftuar zyrtarisht se finalja e Kampionatit Evropian të Futbollit Euro 2028 do të zhvillohet në stadiumin legjendar “Wembley” të Londrës, më 9 korrik 2028. Ndërkohë, ndeshja hapëse e turneut do të luhet më 9 qershor 2028 në Cardiff, duke i dhënë nisje një muaji të tërë spektakli futbollistik.
Turneu do të përfshijë 51 ndeshje dhe do të marrë pjesë 24 skuadra, të ndara në gjashtë grupe, ashtu si në formatin aktual që përdoret prej Euro 2016.
Ndeshjet do të zhvillohen në nëntë stadiume në tetë qytete: Cardiff, Dublin, Glasgow, Newcastle, Manchester, Liverpool, Birmingham dhe Londër.
Sipas njoftimit të UEFA-s, tetë nga nëntë stadiumet pritëse – përjashtohet vetëm “Wembley” – do të organizojnë nga një ndeshje të fazës së 1/8-ve, ndërsa katër çerekfinalet do të ndahen mes Cardiff-it, Dublinit, Glasgow-t dhe Londrës.
Për të garantuar “barazi sportive dhe drejtësi konkurruese”, fitueset e ndeshjeve të 1/8-ve do të luajnë çerekfinalet në një qytet tjetër nga ai ku kishin luajtur më parë.
Java finale e turneut do të mbahet tërësisht në Londër, në stadiumin “Wembley”:
Gjysmëfinalet: 4 dhe 5 korrik 2028
Finalja: 9 korrik 2028
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, në fjalën e tij theksoi rolin bashkues të futbollit dhe rëndësinë e këtij turneu për vendet mikpritëse:
“Futbolli është një gjuhë universale – ai shpreh pasion, aftësi, guxim, solidaritet dhe respekt më mirë se çdo gjë tjetër. Na kujton se pikërisht dallimet tona e bëjnë këtë sport kaq të bukur. Në UEFA EURO 2028 do të flasim të gjithë të njëjtën gjuhë: atë të futbollit, me forcë, qartësi dhe unitet. Vendet mikpritëse, aty ku futbolli mori formë për herë të parë, janë të etura të mirëpresin miliona tifozë në stadiume legjendare dhe të ofrojnë një festival emocionesh që do të mbahet mend gjatë.”
Čeferin shtoi se qëllimi i UEFA-s është të maksimizojë përvojën e tifozëve, brenda stadiumeve dhe në të gjithë botën, duke e kthyer Euro 2028 në një nga ngjarjet më madhështore të vitit sportiv.
KOHA JONË SONDAZH

