Përplasje mes tifozëve të Argjentinës dhe Algjerisë në Times Square para ndeshjes së Botërorit
Pak orë përpara sfidës së shumëpritur mes Argjentinës dhe Algjerisë në Kupën e Botës 2026, në zemër të Neë York City janë regjistruar incidente mes tifozëve të dy kombëtareve.
Sipas videove që po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare, grupe tifozësh argjentinas dhe algjerianë janë përfshirë në përleshje fizike në zonën e famshme të Times Square, duke shkëmbyer grushte dhe shkelma në një nga pikat më të frekuentuara të Manhattanit.
Pamjet tregojnë momente tensioni në prani të qindra kalimtarëve, përfshirë edhe familje me fëmijë, ndërsa më herët atmosfera kishte qenë festive, me tifozë nga vende të ndryshme që këndonin dhe festonin së bashku në rrugët e qytetit.
Video të tjera të publikuara online shfaqin mbështetësit e të dy ekipeve duke kënduar kore tradicionale futbolli dhe duke krijuar atmosferë të zjarrtë në Times Square, zonë që gjatë Botërorit është kthyer në një nga qendrat kryesore të grumbullimit të tifozëve.
Deri tani nuk ka njoftime zyrtare nga autoritetet amerikane për persona të lënduar apo arrestime si pasojë e incidenteve.
Argjentina, kampione në fuqi e botës, do të përballet me Algjerinë në ndeshjen hapëse të saj në Botëror, një takim që ka tërhequr vëmendje të madhe edhe për shkak të pranisë së Lionel Messi, i cili pritet të zhvillojë një nga paraqitjet më të rëndësishme të karrierës së tij me kombëtaren.

KOHA JONË SONDAZH

