Përshëndetja speciale e trajnerit Sylvinho për të gjithë në “Air Albania” (VIDEO)
Shqipëria përmbylli një rrugëtim fantastik, duke u kualifikuar në finalet e Europianit “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë regjistruan edhe një tjetër arritje historike, pasi u renditën të parët në Grupin E duke lënë pas kundërshtarë si Çekia e Polonia.
Pas përfundimit të sfidës së fundit ndaj Ishujve Faroe, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, trajneri Silvinjo kishte një mesazh. Në festën e organizuar nga FSHF tekniku brazilian gjatë fjalimit të tij theksoi se ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, duke falenderuar lojtarët, Presidentin e FSHF-së Armand Duka, të gjithë stafin e Federatës dhe tifozët e mrekullueshëm kuqezi.
“Si fillim dua t’ju falënderoj ju lojtarëve. Jeni të aftë, kemi bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm, jeni lojtarë shumë të mëdhenj, e meritoni. I gjithë stafi, i falënderoj, janë shumë orë pune bashkë, u kërkoj edhe falje, pasi ndonjëherë jam i vështirë, faleminderit.
Përfitoj për të falënderuar Federatën, Presidentin Armand Duka, të gjithë ata që punojnë në Federatë, janë shumë. I falënderoj me zemër, çdo ditë punojnë. Të fundit jeni ju tifozë, faleminderit për mbështetjen. Nuk kemi pësuar asnjë gol në shtëpi, jemi të parët, sulmi dhe mbrojta më e mirë, faleminderit për të gjitha”.
Më i bukur fitimi i trofeut të Champions League apo kualifikimi në Europian ? – “Në 2009 ishte shumë e bukur. Por me të gjithë këta djem është një nder për mua. Nuk e di ende se çfarë është Europiani, duhet të shoh shumë ndeshje, të studioj, që të shkoj atje shumë i përgatitur”, – përfundoi Silvinjo.