Pesë gola në 9 minuta, Levandovski në “Guinness”
Sulmuesi polak i Bajern, Robert Levadovski, shënoi emrin e tij në librin “Guinness” pak javë pasi vendosi një limit të ri sa i përket golave të shënuar në pak minuta gjatë një ndeshjeje të vetme futbolli. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut mori zyrtarisht çertifikatat për rekordet e tij të vendosura në ndeshjen e 22 shtatorit kampionatin gjerman. Në këtë sfidë ai vendosi katër rekorde.
Tre prej tyre kanë të bëjnë me pesë golat e shënuar në vetëm nëntë minuta. Levandovski mban rekordin për tregolëshin, katërgolëshin dhe pesë-golëshin më të shpejtë në historinë e futbollit botëror. Futbollisti polak mund të krenohet edhe me një tjetër rekord, atë të lojtarit zëvendësues që shënon më shumë gola në një ndeshje të vetme. Në të njëjtën ndeshje ai u fut në fushë vetëm në pjesën e dytë, por kjo nuk e pengoi të shënonte 5 herë.
Levandovski ia dedikoi rekordet skuadrës, por në të vërtetë është Bajerni i Mynih, që po përfiton nga ai që cilësohet si një nga sulmuesit më të mirë në botë. Këtë sezon, ai ka shënuar 14 gola në Bundesligë dhe renditet i dyti pas sulmuesit të Borusias, Pierre-Emerik Aubumejang.
KOHA JONË SONDAZH

