“Pirelli” gati të ndihmojë Interin për blerjen e Lionel Messit
Mediat spanjolle pak ditë më parë e bënë fakt të kryer largimin e Lionel Messit nga Barcelona në fund të këtij sezoni, teksa ylli argjentinas nuk ka pranuar rinovimin e kontratës me blaugranat dhe kërkon të largohet me parametër zero në verën e vitit të ardhshëm.
Gjithsesi me disa deklarata të dhëna së fundmi presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu theksoi se dëshira e Messit është një dhe e vetme të mbyllë karrierën me Barcelonën. Klubet e interesuara për të do ta bëjnë një tentativë dhe një prej ekipeve që interesohen për Messin është edhe Interi.
Klubi zikaltër e ëndërron prej kohësh 6-herë fituesin e Topit të Artë dhe për të bërë të lumtur të gjithë popullin zikaltër duke afruar një prej futbollistëve më të mirë, presidenti i Interit mund të ndihmohet edhe nga sponsori Pirelli.
Marco Troncheti Provera njeriu kyç i Pirellit për të plotësuar edhe një nga dëshirat e mëdha të ish-presidentit Morattit, atë për të parë Messin të mbajë veshur fanellën zikaltër është gati të mbulojë një pjesë të pagës së majme të yllit argjentinas, vetëm që Messi të transferohet te Interi.