Pirlo nuk do të jetë trajneri i Italisë, vjen konfirmimi në rrjetet sociale
Andrea Pirlo ka konfirmuar se nuk do të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë. Ish-mesfushori legjendar bëri të ditur lajmin përmes një postimi në Instagram, ku zbuloi se nuk është më kandidat për stolin e “Axurrëve”. “Mbrëmë mësova se nuk jam më kandidati për pankinën e Kombëtares italiane”, shkroi Pirlo në një “story” të publikuar të hënën në mëngjes.
Aktualisht trajner i United në Dubai, Pirlo kishte reaguar një natë më parë lidhur me polemikat që u ngritën për bashkëpunimin e tij me kompaninë Fonbet, çështje që sipas mediave ndikoi në diskutimet për emërimin e tij si trajner i Italisë.
Në deklaratën e tij, Pirlo theksoi se gjatë gjithë karrierës, si futbollist dhe si trajner, ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet e vendeve ku ka punuar dhe me kontratat që ka firmosur.
“Partneriteti profesional që është bërë objekt polemikash lidhet me punën time në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka ekskluzivisht karakter tregtar dhe sportiv. T’i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin”, u shpreh ai.
Në fund të mesazhit, Pirlo falënderoi Paolo Maldinin dhe Leonardon për besimin dhe vlerësimin e treguar ndaj tij, duke lënë të kuptohej se shpresat për të marrë drejtimin e Kombëtares kishin marrë fund.
“Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një post. Ajo është pjesë e historisë sime, e identitetit tim dhe do të më shoqërojë gjithmonë”, përfundoi ish-kampioni i botës.
KOHA JONË SONDAZH

