Po shkëlqen te Lecce, Ramadani do të rinovojë kontratën automatikisht
Ylber Ramadani do të mbetet pjesë e Lecces edhe për sezonin e ardhshëm. Mesfushori i Kombëtares ka siguruar vazhdimësinë në Serie A, pas vendimit të klubit italian për të rinovuar kontratën e tij.
Sipas raportimeve të gazetarit italian Nicolo Schira, drejtuesit e Lecces kanë vendosur të aktivizojnë klauzolën e parashikuar në kontratë, duke zgjatur bashkëpunimin edhe për një vit tjetër. Vendimi vjen në një moment stabiliteti për mesfushorin 29-vjeçar, i cili ka qenë pjesë e rregullt e skuadrës gjatë këtij sezoni.
Ramadani është aktivizuar në 19 ndeshje kampionati, duke dhënë kontributin e tij në mesfushë me paraqitje të qëndrueshme, edhe pse pa spikatur në mënyrë të veçantë në aspektin statistikor. Pavarësisht kësaj, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kanë vlerësuar eksperiencën dhe balancën që ai i jep ekipit.
Zyrtarizimi i rinovimit pritet të vijë në ditët në vijim, ndërsa Ramadani do të vazhdojë të jetë një opsion i rëndësishëm për Leccen dhe një emër konstant për Kombëtaren.
KOHA JONË SONDAZH

