Pogba 100 mln euro, figuron në listën 365 mln euro të PSG
Fair Play Financiar, i vendosur nga UEFA e FIFA mund të pengojë shumë klube. Paris Sainte Germain as që do t’ia dijë. Klubi i sheikëve nga Katari ka hartuar një listë të gjatë për të vijuar projektin e blerjeve të çmendura edhe pse në grupin aktual bëjnë pjesë lojtarë luksi si Ibrahimoviç, Cavani, Lavezzi e Pastore. Kontinenti i vjetër është një minierë ari për klubin parizien ku lakohen emrat e Paul Pogba, Angel Di Maria, Marco Reus, Kevin De Bruyne apo Henrikh Mkhitaryan. Presidenti Al Khelaifi është gati të sfidojë sërish presidentin e UEFA-s, Michel Platini, i cili ka vepruar me dorë të ashpër kundër klubeve të dorës së dytë që e kanë tepruar me shpenzimet duke mos arritur të ruajnë balancat financiare.
Vala e parë e blerjeve nga PSG kaloi pa shumë bujë, por në rast të një fushate tjetër, mediat franceze shkruajnë se ky do të ishte një bast i rrezikshëm për manjatin nga Lindja e Mesme. “L'Equipe” shkruan se Paris Saint Germain kërkon të shpenzojë shuma marramendëse, por lëvizjet e radhës janë të monitoruara dhe mund të bëjnë zhurmë të madhe. Aktualisht, shifrat që qarkullojnë në ambjentet mediatike janë të qarta; Pogba 100 milionë, Di Maria 65; Reus 50; De Bruyne 28 dhe Mkhitaryan 21. Të mbledhura, në total janë 367 milionë Euro, të gjitha me prejardhje nga Lindja e Mesme. Cila është strategjia që do të ndjekë Al Khelaifi për të justifikuar shpenzimet? Ende nuk dihet, por organi më i lartë i futbollit europian këtë herë nuk dëshiron ta mbyllë njërin sy.
KOHA JONË SONDAZH

