Polemikat për Jeremy Doku, L’Équipe kërkon falje pas komenteve të prezantueses
Një debat i fortë ka shpërthyer në Francë pas komenteve të bëra nga prezantuesja sportive France Pierron ndaj futbollistit belg Jérémy Doku, i cili ka shprehur dëshirën për të lënë përkohësisht grumbullimin e kombëtares për të qenë pranë bashkëshortes gjatë lindjes së fëmijës së tyre të parë.
Pas reagimeve të shumta, media e njohur sportive franceze L’Équipe u distancua publikisht nga deklaratat e prezantueses dhe publikoi një komunikatë zyrtare ku kërkoi falje ndaj lojtarit të Belgjikës, duke theksuar se komentet e bëra nuk përfaqësojnë vlerat e redaksisë.
Gjatë emisionit “L’Équipe de Choc”, të transmetuar të premten, Pierron kritikoi vendimin e mundshëm të Dokut për t’u larguar nga Botërori në rast se bashkëshortja e tij, Shireen, do të sillte në jetë fëmijën e tyre gjatë kompeticionit.
Ajo e cilësoi lindjen si “një moment ku babai është i padobishëm”, duke shtuar se shumë futbollistë do të dëshironin të ishin në vendin e yllit belg në një ngjarje kaq të madhe si Kupa e Botës.
Deklaratat shkaktuan reagime të forta në rrjetet sociale dhe në opinionin sportiv, duke hapur një debat mbi balancën mes jetës profesionale dhe asaj familjare të sportistëve.
24-vjeçari Doku, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Belgjikës dhe futbollist i Manchester City, kishte deklaruar më herët se dëshironte të ishte i pranishëm në lindjen e fëmijës së tij.
“Askush nuk dëshiron të humbasë lindjen e fëmijës së vet”, ishte përgjigjja e sulmuesit belg ndaj pyetjeve të gazetarëve.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij pritet të sjellë në jetë fëmijën në fillim të muajit korrik, periudhë kur Belgjika shpreson të jetë ende në garë në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026.
KOHA JONË SONDAZH

