Portugalia fiton sërish Ligën e Kombeve, mund Spanjën me penallti

Për herë të dytë në historinë e saj, Portugalia shpallet kampione e UEFA Nations League. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez triumfoi ndaj Spanjës në një finale emocionuese të zhvilluar në Allianz Arena, Mynih.

Spanja kaloi dy herë në epërsi gjatë ndeshjes: fillimisht me golin e Zubimendi në minutën e 21-të, dhe më pas me Oyarzabal, i cili shënoi në fundin e pjesës së parë (45’). Por lusitanët reaguan menjëherë.

Nuno Mendes barazoi shifrat në minutën e 26-të, ndërsa Cristiano Ronaldo, në minutën e 61-të, realizoi golin e dytë për Portugalinë duke rikthyer balancën dhe dërguar ndeshjen drejt serisë së penaltive.

Në fund, gjithçka u vendos nga “loteria” e 11-metërshave, ku Alvaro Morata gaboi penalltinë vendimtare për Spanjën, duke i dhuruar kështu trofeun Portugalinë.

Ky është suksesi i dytë i Portugalisë në këtë kompeticion, pas fitores së parë në edicionin inaugural të vitit 2019.

SHKARKO APP