Premier League/ Burnley i Brojës ndal United, City bën tjetër hap fals
Manchester United nuk arriti të kthehej te fitorja as në transfertën ndaj Burnleyt, duke u ndalur në një barazim 2-2 që lë shije të hidhur për “Djajtë e Kuq”.
Skuadra e drejtuar nga Darren Fletcher, në rolin e trajnerit të përkohshëm deri në emërimin e pasuesit të Amorim, u detyrua të përmbyste rezultatin pasi Burnley kaloi i pari në avantazh. United reagoi mirë dhe për disa minuta dha përshtypjen se e kishte marrë ndeshjen në kontroll, duke kaluar nga 1-0 në 1-2, por gabimet në prapavijë u rikthyen dhe vendasit arritën të barazonin.
Në minutat e fundit, fitorja ishte shumë pranë për United, por shtylla u shndërrua në armikun më të madh, duke mohuar tre pikë që do të kishin peshë të madhe në renditje. Armando Broja u aktivizua për 76 minuta, por sulmuesi shqiptar pati pak hapësira për të bërë diferencën, në një ndeshje ku loja u përqendrua kryesisht në sulme të shpejta dhe presion konstant të United.
Newcastle dhe Leeds United dhuruan një spektakël të vërtetë me shtatë gola. Sfida u mbyll 4-3 për Newcastle, me golin vendimtar të Barnes në minutën e 102-të, pasi bardhezinjtë deri në minutën e 91-të ishin në disavantazh.
Chelsea vazhdoi serinë negative, duke u mposhtur 2-1 nga Fulham, në një takim ku Cucurella la ekipin me dhjetë lojtarë. Ndërkohë, Manchester City u ndal në barazim 1-1 ndaj Brighton, duke humbur terren në garën për kreun.
KOHA JONË SONDAZH

