PREMIER LEAGUE/ Fitojnë Arsenali dhe Chelsea, mundet sërish United

Tre ndeshjet e mesditës në Premier League kanë përfunduar me rezultate interesante, duke ndikuar drejtpërdrejt në garën për titull dhe për zonën Champions.
Arsenal mori një fitore të thellë 0-4 në transfertë ndaj Ipswich, duke treguar superioritet absolut. Trossard ishte në një formë të shkëlqyer duke shënuar dy herë (14’ dhe 68’), ndërsa Martinelli (28’) dhe talenti i ri Nwaneri (88’) vulosën suksesin e “Topçinjve”. Me këtë rezultat, skuadra e Arteta-s thjeshtë ka shtyrë festën e Liverpoolit.
Chelsea regjistroi një fitore dramatike 1-2 në derbin londinez ndaj Fulham. Vendasit kaluan të parët në avantazh me golin e Iwobi (20’), por “Blutë” reaguan në pjesën e dytë. Fillimisht Tyrique George barazoi shifrat në minutën e 83’, ndërsa Pedro Neto realizoi golin e fitores në kohën shtesë, duke i dhënë tri pikë të arta skuadrës së Pochettino-s. Chelsea ngjitet në vendin e pestë me 57 pikë, duke u futur fuqishëm në garën për një vend në Champions League.
Ndërkohë, Manchester United zhgënjeu sërish në “Old Trafford”, duke u mundur 0-1 nga Wolves. Pablo Sarabia u bë heroi i miqve me golin e vetëm të ndeshjes, të cilin e realizoi vetëm tre minuta pasi u aktivizua nga stoli. Kjo ishte fitorja e pestë radhazi për “Ujqërit”, që tashmë barazojnë me pikë (38) pikërisht “Djajtë e Kuq”, por qëndrojnë vetëm një vend më poshtë në renditje (15).