Premier League, një çështje golash…speciale për ekipet favorite
Sezoni i ri i Premier League fillon 10 ditë më vonë dhe tifozët e futbollit do të kenë mundësinë të shijojnë edhe një herë tjetër një prej veprimtarive më të bukura të planetit. Për pretendentët për titullin kampion golat do të jenë “çelësi” i suksesit. Gjashtë ekipet më të forta në ishull kanë riformatuar sulmin. Disa duken shumë të forta në repartin e avancuar, të tjerat kanë ende punë për të bërë, por le t’i hedhin një sy sulmeve të ekipeve më të forta në Premier League…
Manchester United
Sulmuesit (golat e sezonit të kaluar): Wayne Rooney (14), Javier Hernandez (9), James Wilson (2)
Golat e shënuar vjet në Premier League: 62
Nota e sulmit: 7
Manchester United ka shpenzuar sërish një mal me parà në merkato, por deri tani, ende nuk është përcaktuar qendërsulmuesi. Me mbërritjen e Memphis Depay do të ketë më shumë krijimtari në sulm, por duket se e gjithë pesha e golave do të bjerë mbi kapitenin Wayne Rooney.
Louis van Gaal kërkon rreth 25 gola nga Rooney dhe duket se ky i fundit ia ka garantuar. Megjithatë, largimet e Robin van Persie dhe Radamel Falcao tregojnë se në rast se Rooney do të mungojë ndonjë ndeshje, “djajtë” nuk do të kenë qendërsulmues. Faktikisht në ekip është edhe Javier Hernanadez, i cili shënoi nëntë gola në sezonin e kaluar, kur ishte i huazuar te Reali, duke e bindur trajnerin Van Gaal mos ta huazojë këtë verë.
Më pas, sulmuesi i tretë në letër është 19-vjeçari James Wilson, i cili ka shënuar vetëm dy gola në 17 ndeshje të luajtur në Premier League. Edhe pse Depay ka treguar se mund të bëj gjëra të mira dhe në mesfushë ka lojtarë si Juan Mata, që mund të shënojnë gola me bollëk, sulmi mbetet reparti më i dobët i United. Gjatë turneut miqësore në SHBA, Van Gaal ka tentuar disa zgjidhje, por kur ka mbetur edhe një muaj merkato, holandezi e ka të qartë se i duhet një bomber.
Chelsea
Sulmuesit (golat e sezonit të kaluar): Diego Costa (21), Radamel Falcao (4), Loic Remy (9)
Golat e shënuar vjet në Premier League: 73
Nota e sulmit: 9.5
Chelsea fitoi me meritë kampionatin e kaluar në Premier League, ku u krijua përshtypja se askush nuk mund t’i arrinte “blutë”. Diego Costa justifikoi çdo cent nga 45 milionë eurot e paguara për të, duke shënuar 21 gola dhe duke u konfirmuar si një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim. Ai u ndihmua pa masë dhe nga krijimtaria e emrave të tillë si Cesc Fabregas dhe Eden Hazard. Londinezët kanë humbur veteranin Didier Drogba, që shënoi shtatë gola në sezonin e kaluar dhe u transferua për në kampionatin amerikan të futbollit.
Blerja e Radamel Falcao, i cili duhet ende të gjejë formën optimale, është shpresa e Mourinho për golat që duhet të vijnë nga stoli. Trajnerit portugez i duhen një lojtar tjetër që t’i garantojë nga 10 në 15 gola. Ky mund të jetë edhe zgjedhja e tretë Loic Remy. Alternativat e shumta, që ka në rolin e qendërsulmuesit i japin mundësinë Chelsea të synojnë suksesin, jo vetëm në Premier League, por në të katër veprimtaritë ku merr pjesë. Pastaj, “blutë” kanë një mesfushë që mund të krijojë gola nga hiçi dhe nuk është për t’u habitur përse Chelsea konsiderohet si favoriti kryesor për të fituar sërish titullin.
Manchester City
Sulmuesit (golat e sezonit të kaluar): Sergio Aguero (32), Wilfried Bony (2), Edin Dzeko (6)
Golat e shënuar vjet në Premier League: 83
Nota e sulmit: 8.5
Manchester City shënoi më shumë se çdo skuadër tjetër në Premier League gjatë sezonit të kaluar, megjithatë e mbylli kampionatin tetë pikë larg Chelsea. Largimi i Stevan Jovetic dhe ai i mundshëm i Edin Dzeko duket se nuk do të ndikojnë shumë te skuadra e Manuel Pellegrini. Ata mund të bazohen te “makineria e golave” Sergio Aguero, i cili shënoi 32 gola në të gjitha veprimtaritë e luajtura vjet dhe te Wilfried Bony, sulmuesi që sivjet do të ketë mundësinë të luajë një sezon të plotë me City.
Manchester City do të presë edhe frytet e investimit të bërë një merkato, pasi pagoi rreth 70 milionë euro për të marrë Raheem Sterling, i cili ka dhënë shenja të mira që në ndeshjet e para miqësore gjatë kësaj vere. Sterling, i cili shënoi nëntë gola për Liverpool në sezonin e kaluar, duhet të përsëritet për të mbuluar largimet e Jovetic dhe Dzeko, të dy së bashku shënuan 11 gola në sezonin e kaluar. Ndoshta Pellegrini po kërkon një tjetër sulmues në merkato, por faktikisht Manchester City nuk pritet të ketë probleme në repartin e avancuar.
Arsenal
Sulmuesit (golat e sezonit të kaluar): Olivier Giroud (19), Danny Welbeck (8), Alexis Sanchez (25)
Golat e shënuar vjet në Premier League: 71
Nota e sulmit: 8.5
Eshtë krijuar ndjesia që Arsenali është shumë pranë suksesit të shumëpritur. Pasi e mbylli në vendin e tretë kampionatin e kaluar dhe fitoi Kupën e Anglisë, Arsene Wenger vendosi se nuk kishte nevojë për të përforcuar sulmin. “Topçinjtë” kanë finalizues që e njohin mirë portën si Olivier Giroud dhe Danny Welbeck, të cilët mbështen nga Alexis Sanchez, Theo Walcott, Santi Cazorla, Mesut Ozil dhe Alex Oxlade-Chamberlain, të gjithë me një nuhatje të mirë para portës. Edhe në miqësoret e para në këtë sezon, londinezët kanë shënuar me bollëk. Pikërisht kjo ecuri e ka bindur Wenger të mos investojë miliona për të marrë emra të tillë si Karim Benzema dhe Alexandre Lacazette.
Danny Welbeck shënoi vetëm tetë gola në sezonin e kaluar, si pasojë e probleme fizike, por ai u mbuluar shkëlqyeshëm nga paraqitjet e Olivier Giroud dhe Alexis Sanchez. Kiliani, jo vetëm që krijon panik të vazhdueshëm për prapavijën kundërshtare me depërtimet e tij, por mbi të gjitha është treguar i saktë para portës kundërshtare. Wenger vendosi të mos investojë për blerjen e një qendërsulmuesi, duke parë edhe formën e mirë të dy sulmuesve premtues të ardhur nga ekipi U-19, Chuba Akpom dhe Alex Iwobi.
Liverpool
Sulmuesit (golat e sezonit të kaluar): Daniel Sturridge (5), Christian Benteke (15), Danny Ings (11), Mario Balotelli (4), Divock Origi (9), Fabio Borini (1), Rickie Lambert (3)
Golat e shënuar vjet në Premier League: 52
Nota e sulmit: 8.5
Liverpool pati një rënie drastike në shënimin e golave nga sezoni 2013/14, në sezonin 2014/15. Arseja: largimit i Luis Suarez për te Barcelona. Duket qartë se Brendan Rodgers nuk ka ndërmend të vuajë më në sulm dhe ka investuar rreth 100 milionë euro për të marrë në skuadër tre golashënues si Christian Benteke, Danny Ings, dhe Roberto Firmino. Priten largimet e futbollistëve të tillë si Fabio Borini, Mario Balotelli dhe Rickie Lambert, të cilët të tre së bashku shënuan vetëm tetë gola në sezonin e kaluar.
Danny Ings dhe Roberto Firmino kanë qenë përforcimet e tjera të Liverpool në sulm
Danny Ings dhe Roberto Firmino kanë qenë përforcimet e tjera të Liverpool në sulm
Benteke u transferua në “Anfild Road”, pas 15 golave të shënuar me Aston Villa, ndërsa Ings e gjeti 10 herë rrugën e golit me Burnley, ekip që ra në kategorinë e dytë. Nuk duhet harruar se Liverpool ka në përbërje edhe Daniel Sturridge, i cili nëse nuk ka shqetësime fizike mund të garantojë 20 gola në Premier League. Largimi i Sterling duket se nuk do të ndikojë shumë te “të kuqtë”, që kanë rikthyer nga Lille sulmuesin belg Origi. Vjet, Liverpool kishte sulmin më të dobët nga të gjithë ekipet pretendente në Premier, por sivjet, të paktën në letër, gjërat kanë ndryshuar.
Tottenham
Sulmuesit (golat e sezonit të kaluar): Harry Kane (31), Roberto Soldado (5)
Golat e shënuar vjet në Premier League: 58
Nota e sulmit: 6
Harry Kane shënoi 21 nga 58 golat e Tottenham në edicionin e kaluar të Premier League (36%) dhe nëse sulmuesi i ri do të ndalet, atëherë për “spërsat” do të nisin problemet. Objektivi i Tottenham, me Kane në formë, është arritja e një nga katër vendet e para. Kane, i cili e mbylli sezonin me 31 gola duke llogaritur dhe ato të shënuar nëpër kupa do të mbështet nga dy mesfushorë golashënues si Nacer Chadli dhe Christian Eriksen, të cilët shënuan 25 gola në sezonin e kaluar. Sulmuesi e tjerë lënë shumë për të dëshiruar.
Roberto Soldado shënoi vetëm pesë gola në kampionatin e kaluar, ndërsa Emmanuel Adebayor, i cili po pret largimin nga dita në ditë, shënoi vetëm 2 gola. Duket qartë që trajneri Pochettiono ka nevojë për një qendërsulmues në gjendje të mbulojë Kane, se herë ky i fundit të mos jetë i disponueshëm. Edhe pse nuk merr pjesë në Champions League, prania e Europa League e bën kalendarin e Tottenham po aq të ngjeshur sa të ekipeve të tjera në Premier League. Duke u bazuar te ato që tregojnë shifrat dhe potenciali e reparteve të avancuara, Tottenham niset një hap prapa nga Chelsea, City, Arsenal, United apo Liverpool. Nga ekipet pretendente, “spërsat” kanë sulmin më të dobët.
KOHA JONË SONDAZH

