Presidenti Bardhi shpërblen Dinamon, Egnatia dhe Dinamo drejt fazave të grupeve
Top Channel ka siguruar pamje ekskluzive dhe të papublikuara më parë nga dhomat e zhveshjes së Dinamos, menjëherë pas kualifikimit të rëndësishëm ndaj Audas. Videoja, e cila do të transmetohet sot, shfaq një atmosferë elektrizuese, ku lojtarët festojnë suksesin e tyre europian. Në këto momente festive, presidenti i klubit, Ardian Bardhi, mbërrin për të përmbushur premtimin e tij, duke shpërblyer skuadrën me para në mes të festës, një dëshmi e motivimit të lartë brenda kampit “blu”.
Kjo premio, megjithatë, nuk është shpërblimi i vetëm. Dinamo tashmë përballet me një sfidë që mund të ndryshojë rrjedhën e sezonit dhe historinë e saj europiane. Më 20 gusht, në “Elbasan Arena”, Dinamo pret Pafos në ndeshjen e parë të Play-Off-it të Conference League, ndërsa takimi i kthimit luhet më 27 gusht në Qipro. Kualifikimi në fazën e grupeve të Conference League do të siguronte jo vetëm miliona euro shtesë nga UEFA, por edhe aktivizimin e një premioje të jashtëzakonshme prej 500 mijë eurosh, të premtuar nga presidenti Bardhi. Deri tani, Dinamo ka siguruar 1.450.000 euro nga rrugëtimi i saj europian.
Në këtë betejë europiane, dy skuadra shqiptare mbeten në garë. Përveç Dinamos, Egnatia ka siguruar deri më tani 3.870.000 euro nga aventura e saj. Rrogozhinasit do të përballen me Lillestrøm në play-off-in e Europa League. Ndeshja e parë zhvillohet më 20 gusht, në orën 19:00, në Rrogozhinë, ndërsa ajo e kthimit më 27 gusht, në të njëjtën orë, në Norvegji.
Nëse Egnatia arrin të eliminojë skuadrën norvegjeze, ajo do të sigurojë një vend në fazën e ligës së Europa League, duke shënuar një moment tjetër historik për klubin. Megjithatë, edhe në rast eliminimi, aventura europiane e Egnatias nuk përfundon. Klubi ka të garantuar tashmë pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League. Kështu, dy ndeshjet kundër Lillestrøm do të përcaktojnë se në cilin prej dy kompeticioneve madhore europiane do të luajë skuadra shqiptare, duke i dhënë mundësinë të rrisë më tej të ardhurat dhe prestigjin e saj europian.
Këto dy javë do të jenë vendimtare për të dy klubet shqiptare. Egnatia lufton për Europa League, ndërsa Dinamo për Conference League, me miliona euro dhe një vend në fazat kryesore të kompeticioneve të UEFA-s në lojë, duke shënuar një periudhë të artë për futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

