Presidenti i Bylis: Me ketë krizë, nuk paguajmë dot futbollistët!

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj foli sot për emisionin “Fan Zone” në lidhje me problemet ekonomike që ka futbolli shqiptar në këtë kohë krize si dhe për vendimin e qeverisë për të mos ndihmuar klubet me të ardhura shtesë gjatë emergjencës së koronavirusit.

“Për momentin ne paguajmë të gjithë me buxhetin e klubit. Me ardhjen e Kryetarit të Bashkisë së ri ndihma jonë është 0 edhe pse ai ka një përqindje për të ndihmuar klubin. Jemi ndryshe nga klubet e tjera që e kanë planifikuar buxhetin për gjithë sezonin. Është një moment i vështirë jo vetëm për sportin, por për të gjithë.

Nuk e di se çfarë planesh ka kryeministri, por të gjithë duhet ta ndihmojnë sportin pasi është në vështirësi të madhe. Kemi 8 lojtarë të huaj dhe disa lojtarë të tjerë që janë të grumbulluar këtu e mundohemi t’i mbajmë e t’i paguajmë, por ka ardhur një moment që nuk mund t’i mbajmë më.

Shteti të kthejë sytë pas nga futbolli pasi edhe këta janë shqiptarë e duhet të ndihmohen. Tani janë mbyllur të gjithë rrugët dhe askush nuk ikën dot në shtëpi nga lojtarët e huaj dhe duhet të qëndrojnë këtu. Fatmirësisht kam hotelin tim dhe akomodon këtu të gjithë këta lojtarë.

Do të ishte një ndihmë shumë e madhe nga Bashkia në këto momente. Federata i di dhe nëse ka mundësi do të na ndihmojë pasi nuk e di sa është buxheti i Federatës. Siç po sakrifikojmë ne të gjithë duhet të sakrifikojmë dhe duhet të na ndihmojë pasi jemi në vështirësi të madhe”, u shpreh Kapllanaj.

SHKARKO APP