Presidenti i Federatës Marokene ironizon zgjedhjen e Yamal: Nuk njoh asnjë spanjoll që quhet Jamel
Presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, është rikthyer të flasë për vendimin e Lamine Yamal për të përfaqësuar Spanjën në nivel ndërkombëtar, në vend të Marokut, duke bërë edhe një koment ironik që ka ngjallur reagime.
Në një intervistë për Onze Mondial, Lekjaa theksoi se federata marokene e ka respektuar gjithmonë vendimin e talentit të Barcelonës dhe nuk ka ndryshuar kurrë qëndrimin ndaj tij apo familjes së tij.
“Vendimin e Lamine Yamal e kemi respektuar dhe nuk e kemi vënë kurrë në diskutim. Nuk kemi ndryshuar asnjëherë sjelljen ndaj tij apo familjes së tij, e cila vazhdon të kalojë pushimet në Marok. Ata do të jenë gjithmonë të mirëpritur”, deklaroi ai.
Më pas, numri një i futbollit maroken bëri një batutë që pritet të ndezë sërish debatin.
“Lamine Jamel. Unë nuk njoh asnjë spanjoll që quhet Jamel”, u shpreh Lekjaa, duke iu referuar origjinës marokene të yllit të Spanjës.
Emri i plotë i futbollistit është Lamine Yamal Nasraoui Ebana. Në fanellën e kombëtares dhe të klubit ai mban vetëm emrat “Lamine” dhe “Yamal”, si një homazh për dy personat që ndihmuan financiarisht familjen e tij përpara lindjes së tij.
Pavarësisht ironisë, Lekjaa theksoi se Federata Marokene nuk ushqen asnjë ndjenjë zhgënjimi apo mllefi për zgjedhjen e lojtarit.
“Për ne nuk ka qenë kurrë çështje frustrimi apo krenarie. Futbolli është universal dhe zgjedhja e një kombëtareje nuk e ndryshon lidhjen e një lojtari me vendin e tij të origjinës. Historia jonë na bën krenarë edhe kur një futbollist me origjinë marokene kontribuon në sukseset e një kombëtareje mike si Spanja”, shtoi ai.
Pak para nisjes së Kupës së Botës, Lekjaa kishte bërë edhe një tjetër koment me humor, duke shprehur dëshirën për një përballje mes Marokut dhe Spanjës “që të shohim nëse Yamal ka bërë zgjedhjen e duhur”. Një duel i tillë mund të bëhet realitet në gjysmëfinale, nëse Maroku eliminon Francën, ndërsa Spanja kalon Belgjikën.
KOHA JONË SONDAZH

