Presidenti i FIFA-s uron ekipin e Teutës për titullin kampion
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe nëpërmjet tij edhe skuadrës së Teutës, me rastin e shpalljes kampione e Shqipërisë, për edicionin 2020-2021.
Në letrën e tij, kreu i qeverisë së futbollit ndërkombëtar shprehet se ky titull për ekipin e Teutës vjen si rezultat i një pune të palodhur, pasionit dhe përkushtimit, ndërsa inkurajon skuadrën të vazhdojë të punojë me të njëjtën vendosmëri.
Presidenti Infantino, në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit falenderon Presidentin e FSHF-së për kontributin që ka dhënë në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e botë.
Letra që i ka dërguar Gianni Infantino, Presidentit Duka:
I dashur President,
Më lejoni të uroj ekipin e Teutës për kurorëzimin si kampione e Shqipërisë për edicionin 2020-2021.
Ky titull vjen pa dyshim si rezultat i punës së palodhur, pasionit dhe përkushtimit dhe çdokush në klub duhet të ndihet krenar për këtë arritje të rëndësishme. Do t’ju isha mirënjohës nëse do t’ia shprehnit urimet e mia çdokujt që ka qenë i përfshirë, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë të punojnë me shpirtin e skuadrës, pasion dhe vendosmëri.
Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, përfitoj nga rasti për t’ju falenderuar juve dhe Federatën tuaj për kontributin tuaj në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Shqipëri, rajonin tuaj dhe në botë.
Pres të shihemi së shpejti,
Juaji sinqerisht,
Gianni Infantino